Vizitë në muzeun e ikonave ruse, në Clinton, Massachusetts

 

Thanas L. Gjika

Në qytetin Worcester MA (Uster) vijnë për vizita të shkurta ose të gjata vëllezër, motra, prindër e të afërm tek shqiptaro-amerikanët e ardhur pas vitit 1992. Midis vizitorëve më të rinj erdhi këto javë z. Pirro Milkani, regjisori i mirënjohur, Artist i Popullit, Qytetar Nderi i Korcës, prodhues i shume filmave artistikë e dokumentarë nga më të mirët. Ai erdhi të vizitojë vëllain e tij Mihallaqin e familjen e tij, si dhe të kryejë një kurrë mjekësore të rekomanduar prej mjekëve shqiptarë.
Unë dhe ime shoqe, u gëzuam kur morëm vesh se kolegu dhe miku më i ngushtë i vëllait tim, regjisorit Viktor Gjika, kishte ardhur në Worcester, jo larg qytezës ku jetojmë ne. U lidhëm së pari me telefon dhe pas takimit të parë në kisha shqiptare Saint Mery Assumption (Fjetja e Shën Mërisë) i propozova për të bërë një vizitë në Muzeun e Ikonave Ruse (Museum of Russian Icons, 203 Union Street, Clinton MA), që ndodhet pranë shtëpisë ku ne banojmë. Përvec ikonave të vjetra ruse të ekspozuara cdo ditë, ky muzeum ka hapur këto javë Pashkësh dhe një ekspozitë me ikona te reja të pikturuara nga murgj dhe piktorë të rinj rusë të këtyre viteve të fundit.
Ky mendim më shtyu të thërrisja dhe piktorin Ksenofon Dilo, i cili bashkë me gruan e vet ka bërë bashkim familjar me djalin, si dhe dy miq nga Bostoni, z-njtë Fuat Memeli dhe Kostandin Mosko, dashamirës të artit e të kulturës. Për fat të keq Ksenofoni nuk mundi të vinte, kurse regjisorin Milkani e solli z. Sotiraq Gjeleveshi, një miku im i palodhur. Kostandini solli Fuatin drejt e në muze, ku u takuam në ora 12:30 PM të dt. 25 prill.
Në hyrje të muzeut takuam z. Gordon Lankton, krijuesin e Muzeut (nonprofit organisation). Me të unë jam njohur që në vitin 2007, ai është një nga sponsorët e veprave të mia shkencore. Mbasi ia paraqita grupin e miqve të ardhur nga Shqipëria dhe Bostoni, z. Lankton na kërkoi të falur që nuk mund të qëndronte me ne, por premtoi se pasi të mbaronte mbledhjen, për ku ishte nisur, do të kthehej për të na shoqëruar. Me punën e tij, ky ingjinier kimist ka hyrë në radhën e Njerëzve që ndryshojnë botën. Modestia e këtij njeriu, tashmë shumë të pasur, të cudit. Kur punoja në fabrikën e tij, pashë me sytë e mij sesi ua kthente ai respektin punëtorëve, i takonte dhe bisedonte me ta sikur i kishte familjarë të dashur. I njihte të gjithë punonjësit e vjetër me emra, madje dhe shumë prej ne të rinjve, jepte për të gjithë dy gosti në vit, shpërblime, përfitime sipas prodhimit, etj.
Takuam pastaj manageren Z-njushën Randi Kelly, e cila na dha tre fletëpalosje, guida, na sqaroi regullat e vizitës, etj. Ajo u tregua e gatshme të na jepte një ciceron, por meqë unë e kisha vizituar disa herë, i thashë se do t’ua jepja unë sqarimet e nevojshme miqve të mij.
Duke parë ikonat shumë të vjetra ruse, na vinte turp dhe inat që ne në Shqipëri nuk kishim ikona më të vjetra se shekulli i XVIII-të. Pirrua, si njeri i shëtitur, filloi të na tregonte për pasuritë e mëdha ikonografike të Europës Lindore, e sidomos të Cekisë, ku kishte kryer studimet dhe kishte shërbyer si ambasador për katër vjet. Kur pa një ikonë me Krishtin në mes, vizatuar në një dru të trashë, tha:
Kjo ikonë më kujton një ikonë që mbanim në shtëpinë e Korcës, kur jetoja me prindrit. E kishte sjellë gjyshi nga Bukureshti, ku kishte bërë vitet e kurbetit. Ishte shumë e vjetër vizatuar në dru të trashë pishe. Mbas shpërthimit të lëvizjes kundër fesë, shteti i mblodhi ikonat nga shtëpitë, edhe sot Muzeu i Ikonave në Korcë ka mbi 5000 (pesë mijë) ikona, po shumica janë të dëmtuara sa nuk mund të riparohen më. Nëna ime fali dy ikona, por dy më të mirat i fsheu, një ikonë të piktorëve korcarë Zografi dhe atë që kishte sjellë gjyshi nga Bukureshti. Në vitin 1992 i thashë, tashme ne apartamentin e Tiranes: Nënë, pa na i nxirr t’i shohim a janë dëmtuar ato dy ikonat e vjetra, erdhi koha t’i vësh prapë në qoshen lindore të dhomës së ndënjes.
Nëna uli kokën dhe nuk po fliste e as po ngrihej të shkonte për të sjellë ikonat. Si për të qeshur i thashë: C’ke kështu, nuk të paska dalë frika akoma?
-Jo more bir, m’u përgjigj nëna, nuk kam frikë, por këto duar, dhe nxori duart para meje, duhen prerë. Ajo ikona rumune ishte krimbur në disa vende dhe kur këtë janar bëri shumë ftohtë, meqënëse nuk kisha ashkla te thata me se të ndizja zjarrin, u detyrova ta caja e ta bëja ashkla për të ndezur zjarrin. Atë tjetrën e kam ruajtur dhe mund ta vemë aty ku thua ti…
Merrni me mend, shtoi Pirrua, sa ikona kanë djegur fshatarët tanë gjatë shekujve. Disa se ndërruan fenë, disa se nuk i vlerësonin ikonat e vjetra, sapo u dëmtohej druri ose ngjyrat i digjnin dhe i zëvendësonin me ikona të reja, duke mos e ditur se më të vjetrat ishin më të vlefshme. Përndjekja e kishës nga rregjimi komunist ishte goditja po aq e rende, pastaj erdhen dhe vjedhjet e viteve 1992-1997. Po të ishin ruajtur me kujdes, ne do të ishim një nga vendet më të pasura me ikona…
Z. Mosko, i cili edhe këtu në Amerikë krahas punës së zakonshme, merret dhe me hartimin e një serie artikujsh shkencorë për historikun, përhapjen e prodhimin e drurëve frutorë si Dardha, Ftoi, Thana, Fiku, Shega, Arra, etj, merr lenten zmadhuese dhe shikon me interes një ikonë në sfondin e së cilës është një pemë frutore. Ikona është e vogël dhe pema i ka gjethet tepër, tepër të vogla, por Kocoja dallon se gjethet e pemës janë gjethe fiku. Pastaj mori shkak e na tregoi se pema e fikut është përhapur prej fenikasve nëpër brigjet e Mesdheut dhe se fjala shqipe FIG / FIK nuk është fjalë latine, as greke, por fenikase, domethënë pellazge. Pavarësisht se është dëshmuar së pari me shkrim në librat greke në formën SIKA dhe në shkrimet latine në formën FICUS, fjala fig / fik është fenikase, sepse ata e përhapën këtë fjalë bashkë me objektin.
Në një ikonë tjetër ai dyshon se pema është shtog. Dhe na sqaron se gojëdhëna e vdekjes së Judës, tradhëtarit të Jezu Krishtit, tregon se ai u varr në një pemë shtogu. Z. Mosko mund të të mbajë leksione pa fund për shumë drurë frutorë dhe bimë mjekësore, sot ai është një vazhdues i denjë i Ilia Mirtushit me shokë.
Kur iu afruam një ikone të madhe që kishte brenda saj një mori të madhe pikturash të vogla, Fuati gati thiri:
Prisni, prisni se nuk e kam marre kot aparatin tim. Ti Thanas shkruaj tekstin e kësaj vizite sepse e njeh mirë pasurinë e muzeut, kurse unë, me që e kam më të mirë aparatin, po bej fotot e rastit. Për Pirron e ndjej për detyrë të shkruaj së shpejti një intervistë, sepse ai ka qenë anëtar i zhurisë në festivalin e filmave dokumentarë, ku m’u dha cmim për një nga filmat dokumentarë me temë bujqësore.
Fuatin e mbaja mend si një nga redaktorët e TVSH-së ku përgatiste emisionet e bujqësisë, por nuk e dija se ai ishte dërguar me qarkullim në kooperativën e Petrelës e pastaj kishte kaluar me punë në Shtëpinë e Propagandës Bujqësore, ku u specializua për regji filmash dokumentarë. Ajo përvojë bashkë me vullnetin e devolliut të palodhur, e ndihmojnë sot që ai të kapë tema shkrimesh nga më të ndryshmet dhe të bëhet një nga bashkëpunëtorët më aktivë të forumeve elektronike dhe gazetave të këtushme dhe të Shqipërisë për ngjarje që ndodhin në Boston dhe rrethina.
Ndalëm para tavolinës ku ishin vendosur për shitje disa libra albume me ilustrime të bukura ku ishin riprodhuar fotografi me ngjyra të ikonave dhe pikturave murale të disa kishave ruse me famë botërore, si dhe historiku i tyre, etj. Më tej ishin disa objekte kishëtare artizanale të prodhuara nga populli rus, si medaljone shënjtorësh, apostujsh, etj. Z.-njtë Mosko dhe Gjeleveshi blenë nga një kujtim. Kurse unë kisha blerë prej kohe një riprodhim të një kompozimi ikonash brenda një ikone të murgut piktor Andre Rublev, autor shumë i njohur i pas vitit 1990.
Ikonat e reja ruse janë zakonisht të pajisura me datën e hartimit dhe emrin e autorit, kurse ikonat e vjetra nuk kanë asnjë shënim. Për të pajisur ato me shënimet përkatëse, sot në Moskë punojnë një grup studjuesish.
Pa e vënë re, na ishte afruar drejtori i qendrës muzeale, z. Kent dur Russell, (CEO & Curator). Ai më kishte thënë më parë se si punoi disa vjet për t’i shpëtuar ato nga prishja prej krimbjes, për t’ua rigjallëruar ngjyrat dhe për t’i pajisur me shënime shpjeguese lidhur me kohën e hartimit, temën e trajtuar, etj. Këtë punë ai e bëri në bashkëpunim me specialistë amerikanë dhe rusë. Mbas prezantimit z. Russell na sqaron se muzeu ka gjithsej 250 ikona të ekspozuara dhe 250 të tjera në ruajtje tek fondet. Për cdo ikonë z. Lankton ka krijuar pasaportën e saj ku shënohet emri i personit të cilit i është blerë, shuma e paguar dhe fotoja e gjendjes origjinale. Shumë prej tyre z. Lankton i bleu vetë gjatë kohës që hapi fabrikën NYPRO në Rusi në pazare popullore (Flee Market), disa të tjerat i blenë punonjësit e tij, që vijuan të punonin në Rusi. Sot kjo pasuri i përket shtetit amerikan, konkretisht qytetit të Clintonit.
Z. Russell, kur mori vesh se regjisori Pirro Milkani kishte ardhur nga Shqipëria dhe se kishte qenë disa vjet ambasador i Shqipërisë në Pragë, na u lut që para se të largoheshim të linim pa tjetër përshtypjet tona në librin e muzeut. Ai na tregoi pastaj disa nga ikonat me vlera të mëdha arti.
Në këtë kohë mbriti z. Lankton, i cili pasi u informua prej manageres se ku ndodheshim, u ngjit në katin e tretë dhe na takoi duke shprehur kënaqësinë që na kapi para largimit. Bëmë disa foto me të duke i shprehur mirënjohjen që erdhi për të na takuar. Mirëpo ai me sjelljen e tij gentile na e ktheu:
-Kënaqësia dhe mirënjohja është e imja, vizitorë si ju me ambasador, profesor, gazetar, agronom, të ardhur nga Shqipëria e largët, vendi i Nene Terezes, nga Bostoni e Worcester-i, i kemi të rallë, prandaj duhet ta kuptoni se unë jam shumë i nderuar. Ju falenderoj për vizitën, ju erdhët nga larg dhe shpenzuat kohë e pare…
-Z. Lankton, ia ktheu Pirrua, ne përfituam shumë më tepër nga sa shpenzuam, muzeu juaj është një vepër e rëndësishme arti e kulture, cdo vizitor mëson gjëra të reja dhe forcon ndjenjat e respektit për artin popullor rus. Ju jeni berë një mik i madh i popullit rus jo vetëm me fabrikën që keni krijuar aty, por dhe me këtë muze shumë origjinal dhe me nivel të lartë.
Zbritëm poshtë ku shkruam përshtypjet tona në gjuhën shqipe, sepse z. Russell, na këshilloi që t’i linim ato në gjuhën tonë amëtare.
Z. Gjeleveshi kur dolëm jashtë na këshilloi të nxitonim për të arritur sa më parë tek shtëpia ime, ku na prisnin gjellët e ngrohta të gatuara prej z.-njës Julia. Aty vijoi biseda rreth tavolinës me shëndete dhe urime, duke kujtuar shokë e miq të tjerë që na mungonin në këtë takim…

Comment

*