Vjosa Osmani – Sadriu zgjidhet Presidente e Kosovës

Prishtinë, 4 prill 2021 – Vjosa Osmani – Sadriu është Presidente e re e Republikës së Kosovës.

Pas intonimit të himnit të shtetit të Kosovës, ajo e bëri betimin si Presidente dhe iu drejtua me një fjalë rasti Kuvendit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zonja Osmani – Sadriu u zgjodh në raundin e tretë të votimit, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ajo i fitoi 71 vota, nga gjithsej 82 deputetë që morën pjesë në votim. 11 vletëvotime ishin të pavlefshme.

Në seancë morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetët e komuniteteve joserbe.

Të pranishme në seancë ishin edhe dy deputete të partive opozitare shqiptare që nuk morën pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, Adelina Grainva e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Albena Reshitaj e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetët tjerë të këtyre dy partive nuk morën pjesë në seancë, sikurse edhe deputetët e Listes Serbe.

Drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së e kanë kundërshtuar kandidaturën e zonjës Osmani-Sadriu për presidente, me arsyetim se ajo nuk është figurë unifikuese.

Biografia e Vjosa Osmani – Sadriut

Vjosa Osmani – Sadriu është lindur më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës. Shkollën fillore dhe atë të mesme I ka mbaruar në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet posdiplomike dhe doktoraturën i ka kryer  në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në SHBA. Disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK) dhe në Kolegjin AAB – Riinvest. Ajo ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të ndryshme në Evropë dhe në SHBA.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka qenë Shefe e Stafit të Presidentit të Republikës së Kosovë, Fatmir Sejdiu, dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ajo ka përfaqësuar Presidentin e Kosovës në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Aëard”. Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Flet gjuhën angleze, turke e serbokroate dhe komunikon në spanjisht.

Është e martuar dhe ka dy vajza binjake.

Jeton në Prishtinë.

Vjosa Osmani – Sadriu ka qenë aktive në politikë qysh në rini të hershme, si aktiviste e Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.

Ajo ka qenë anëtare e stukturave më të larta drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka qenë edhe nënkryetare e Kësaj partie. Në zgjedhjet e parafundit parlamentare, ka qenë kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministre të Kosovës.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt, garoi me një listë të saj zgjedhore, e cila ishte pjesë e Listës së kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zonja Vjosa Osmani – Sadriu është zgjedhur deputete në katër legjislatura të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre mandative, ajjo i ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Komisionin për Integrime Europiane. Ka qenë edhe nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prej 5 nëntorit të vitit 2020 deri në konstituimin e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës ishte edhe ushtruese e degtyrës së Presidente e Republikës së Kosovës.

(r.m.)

One Response to “Vjosa Osmani – Sadriu zgjidhet Presidente e Kosovës”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati_Çam Shqiptaro Amerikan says:

    Me Presidente te brymosur me Shqiptarizem dhe te Edukuar ne Ameriken e Bekuar si Shume E Nderuara z.Vjosa Osmani; Kosova Shqiptare(ose me qarte DARDANIA) eshte ne rrugen e drejte te Stabilizimit si Shtet i Pavarur Demokratik.
    Me Presidente z.Vjosa Osmani dhe Kryeminister z. Albin Kurti Kosova (DARDANIA) SHQIPTARE me Trashegimin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit dhe me Luften e UÇK mbeshtetur nga SHBA do jete
    YLL NDRICUES I SHQIPTARIZMES SE VERTETE!!