Von Cramon: BE nuk duhet të humbë besimin e Ballkanit Perëndimor

Sarajevë, 20 qershor 2022 – Euro-deputetja Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka deklaruar se Brukseli duhet të japë sinjale pozitive për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në prag të vendimit të kësaj jave për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën dhe dy shtetet e tjera ish sovjetike.

Gjatë një vizitë në Sarajavë, më 19 qershor, deputetja gjermane ka thënë se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndihmonte në ruajtjen e besueshmërisë në rajon.

Sllovenia bëri thirrje për pranimin e përshpejtuar në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, e cila po përballet me përpjekjet për ndarje nga udhëheqësit etnikë serbë që janë aleatë të ngushtë të Moskës.

“Ne, parlamentarët evropianë, gjithnjë themi se në rast se Moldavia dhe Ukraina marrin statusin e kandidatit, atëherë ne duhet t’u japim diçka edhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, për t’u treguar se ne jemi të besueshëm dhe se nuk kanë humbur shpresat”, ka thënë von Cramon.

E pyetur nga gazetarët mbi vendimet specifike që BE-ja duhet të marrë, ajo ka cituar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhënien e statusit kandidat për Bosnjën dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti slloven Borut Pahor më 16 qershor tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor dukeshin gjithnjë e më larg BE-së, pavarësisht premtimeve të së kaluarës, ndërsa Ukraina dhe Moldavia ishin duke u ndjekur me shpejtësi që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Pahor e quajti Bosnjën një rrezik të nacionalizmit dhe paqëndrueshmërisë – duke përmendur separatizmin serb të Bosnjës me mbështetjen e heshtur ruse – dhe tha se ishte “absolutisht e nevojshme që Bosnje-Hercegovinës t’i jepej pa kushte statusi i kandidatit për anëtarësim në BE”.

Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë në samitin që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor.

“Qëllimi i propozimit slloven që sugjeron dhënien pa vonesa të mëtejshme të statusit të kandidatit në BE për [Bosnjën] është të dërgojë një sinjal pozitiv të menjëhershëm për [Bosnjën] dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” thuhet në propozimin e Pahor.

Një sinjal i tillë për [Bosnjën], hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të rikonfirmonte përkushtimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Von Cramon-Taubadel ishte në Sarajevë së bashku me një delegacion të BE-së për të mësuar më shumë rreth situatës në Bosnje, e cila ende qeveriset sipas një marrëveshjeje me bazë etnike në vitin 1995 që i dha fund viteve të luftimeve intensive në Bosnje pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

(REL)