Vota më e mirë për partitë e vogla

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Nëse nuk je militant e adhurues i ndonjë prej dy partive kryesore shqiptare është normale të jesh i pavendosur për zgjedhjet që mbahen të dielën në Shqipëri.
Ka më shumë argumente për të votuar kundër këtyre dy partive sesa në favor të ndonjërës prej tyre.
“Illyria” e ka si rregull që nuk merr anë në zgjedhje duke besuar se lexuesi i saj është mjaftueshmëisht i edukuar për të marrë vetë vendime të kësaj natyre. Po nëse do të ishim të detyruar të bënim një zgjedhje, këshilla jonë do të ishte për njërën nga partitë e vogla. Për këtë ka disa arsye.
Kryesore është paaftësia e dy partive kryesore për të bindur se meritojnë të udhëheqin të vetme pa nevojën e votave të tjera në Kuvend.
Partia Socialiste ka frymëzuar si kurrë më parë socialistët në mbarë vendin, po ka pak shenja se votuesi i paanshëm është impresionuar shumë. Pas 8 vitesh të PD-së në pushtet, njerëzit duhej të ishin të etur për ndryshim. Në fakt, kjo nuk është e qartë.
Llogjika e do që e majta të fitojë sepse ka pasur më shumë vota të majta se të djathta në Shqipëri edhe në këto vite të qeverisjes së PD-së. Berisha ka tetë vite që është kryeministër se ka ditur të menaxhojë më mirë situatat pas zgjedhore, sidomos raportet në Kuvend ku Rama ka munguar rregullisht. Po në total, e kuqja ka pasur pak më shumë se gjysmën e hartës së vendit dhe me bashkimin e LSI-së me PS-në, llogjika e do që të fitojë e majta.
Po kjo nuk është një e majtë që na bind. Jo sepse do të “rilindë” komunizmin dhe 8 Nëntorin 1941 siç është një opinion. Shumë nga udhëheqësit e majtë janë milionerë e më kapitalistë se kapitalistët më të thekur të botës. Fotografitë e baballarëve mbase i mbajnë në tavolina e në gji, po idealet e tyre i kanë harruar me kohë. Janë të parët që do të humbnin nga një rikthim i komunizmit.
Problemi me Partinë Socialiste dhe udhëheqësin e saj Edi Rama është se nuk ofron freskinë që pretendon. PS ka qenë në pushtet në Tiranë për gati një dekadë dhe vazhdon të jetë në një numër rrethesh të rëndësishme të vendit. Nuk ka në këtë nivel ndonjë dallim themelor në qeverisje që të na bëjë të besojmë se PS-ja është ndryshimi.
Me futjen në koalicion të LSI-së, PS mund të ketë siguruar votat aritmetikisht, por nga pikëpamja morale ka bërë një hap pas. LSI-ja ka qenë segmenti më i akuzuar për korrupsion në qeverinë e katër viteve të fundit. PS-ja ofron të heqë PD-në nga pushteti por të rikthejë Ilir Metën kundër të cilit organizoi protestat e përgjakura të 21 Janarit.
Nuk ndihmojnë as zgjedhjet e emrave në listat e kandidatëve, ku figura si Arben Malaj në Vlorë u sakrifikuan për njerëz të afërt me kryetarin Rama por jo të tillë me partinë. Motoja “partia jam unë” është ndryshimi esencial që mund të sillte rotacioni në pushtet. Por mënyra sesi është qeverisur Tirana, sidomos në vitet e fundit dhe problemet me listat e aleancat parazgjedhore na bëjnë pesimistë në këtë drejtim.
E fundit, megjithëse qeverisja e PD-së ka qenë e mbarsur me probleme e të meta, Rama nuk i ka rezistuar dot nevojës për të ulur nivelin e retorikës në fyerje personale. Gjatësia trupore e Kreshnik Spahiut apo mosha e Sali Berishës janë tema që mund të ishin shmangur lehtë. Sidomos duke pasur parasysh se Rama vetë ka qenë shpesh viktimë e sulmeve personale nga krahu i PD-së. Ai mund të jepte një shembull personal në këtë fushatë dhe nuk e dha.
Mpirja e shpresës nga opozita nuk na bën gjithësesi të këmbëngulim te një mandat i tretë dhe me mazhoritet të pastër për kryeministrin Berisha. Shqetësimi më i madh ka të bëjë me pandalshmërinë e udhëheqësit historik të PD-së në lojën e akumulimit të pushtetit. Pavarësisht se Rama e PS kishin fajin e tyre që u treguan aq pa inisiativë në kohën e zgjedhjes së presidentit, kjo nuk e justifikon mënyrën se si u zgjidh ajo punë.
Në vitin 2002, kryeministri Nano i la hapësirë opozitës që të propozonte një kryeministër. Kjo traditë e bukur duhej të ishte respektuar. E njëjta situatë është edhe me Prokurorin e Përgjithshme. Sulmet e Berishës ndaj dy të emëruarve të tij Bamir Topit dhe Ina Ramës, kanë kapërcyer masën e normales dhe arsyes. Ne druhemi se një fitore e tretë e Berishës do të krijonte kushtet për një sistem parti-shtet me pasoja të rënda afatgjata për Shqipërinë.
Akuza për nxjerrje të detyruar të punonjësve të shtetit në mitingje e takime zgjedhore, detyrimi për të siguruar vendin e punës apo ndihmat sociale duke fotografuar votën, ndonëse gjerësisht të paprovuara sinjalizojnë një klimë frike dhe detyrimi që i shkon më shumë për shtat diktaturave më të shëmtuara të kohës por jo një vendi që synon të bëhet anëtar i BE-së.
Në planin ekonomik, ne kemi kritikuar disa herë akuzat e pathemelta të opozitës për zhvillimet ekonomike në vend, por nga ana tjetër nuk mund të mos përmendim shqetësimin tonë për mungesën e trasparencës lidhur me një numër masash që do të kenë pasoja afatgjata jo vetëm për anëtarët e PD-së por për gjithë popullsinë e vendit, madje jo vetëm për këtë brez por për shumë breza të ardhshëm. Që nga borxhet e mëdha të viteve të fundit te privatizimi i disa prej aseteve më të rëndësishme të shtetit. CEZ tërheq kapitalin masiv të investimit, blerësi i AlbPetrolit nuk paguan dot shumën megjithë verifikimin e supozuar, ndërsa Banka Botërore flet për arratinë e më shumë se një miliard dollarëve nga Shqipëria.
Në këto kushte, transparencës si e vetmja shpresë i mbetet rotacioni në pushtet; si e vetmja mënyrë për të mësuar më shumë për vendime për të cilat konsultimi duhej të kishte qenë përtej kornizave partiake e institucionale.
Në fund, sjellja e të dy partive kryesore, në momente kyçe për fatin e integrimit të Shqipërisë në BE ka qenë e papërgjegjshme e dëshpëruese. Ndonëse janë mësuar të tregojnë me gisht nga njëra tjetra, PD dhe PS ndajnë fajin për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë në rrugën drejt Europës.
Në këto kushte, minimumi që mund të bëhet është që asnjë nga partitë kryesore të mos ketë shansin që të qeverisë e vetme. Demokracia brenda PD-së dhe PS-së është përkeqësuar kaq shumë me kalimin e viteve saqë e vetmja mënyrë për të krijuar një lloj sistemi balancues e kontrollues është detyrimi për të bërë pakte me partitë më të vogla që kanë në dorë votat që vendosin se nga anon peshorja në Kuvend.
Kjo nuk do të thotë se partitë e vogla nuk vuajnë nga të meta të ngjashme por negociimi ul shanset për abuzim rrit mundësitë e ndikimit të diplomacive perëndimore që shpesh kanë qenë të vetmit zëra të arsyes në Tiranë në 4-5 vitet e fundit.
Ndonëse është e vërtetë se LSI ka qenë në qendër të akuzave për korrupsion, votat e saj shpesh kanë sjellë një frymë të arsyes dhe përgjegjësisë në Kuvend. Po kështu kanë qenë edhe disa vota të PDIU-së si dhe disa qendrime të partive më të vogla apo të reja si ajo e drejtuar nga Paskal Milo, FDR-ja dhe Aleanca Kuq e Zi.
Një ndërgjegjësim më i madh i partive të vogla përveçse do ta pasuronte skenën politike shqiptare do ta bënin më demokratike e më të hapur atë. Në këto kushte ky do të ishte një ngushëllim i vogël por i mirëpritur.
Shqiptaro-amerikanët i ndjekin me shumë interes këto zgjedhje dhe do të donin edhe ata të votonin këtë të dielë. Le të shpresojmë se kjo mundësi do t’ju vijë shpejt në të ardhmen. Sot, duket se në New York do të fitonte dukshëm Partia Demokratike. Në shtete të tjera ndoshta do të ishte më e balancuar. Po votat e pavarura nga Amerika do të ishin një kontributi i vyer për demokracinë në Shqipëri. Po ashtu do të ishin edhe disa deputetë nga diaspora.
Po pavarësisht prej ndarjeve partiake, ajo që duan të gjithë është që të fitojë demokracia dhe liria e votës. Që kushdo qoftë humbësi të pranojë humbjen e që fituesi të tregojë përultësi e dinjitet si ndodh rëndom në SHBA, vendin fushatat e të cilave imitojnë me zell në Shqipëri, por jo mënyrën e mbylljes së tyre.
Le të kemi një mbyllje amerikane kësaj here, sido që të ketë dalë rezultati.