Votimi, detyrë dhe përgjegjësi

Nga Dr. Elton Mara

Duke marrë shkas nga thirrja që organizata “Vatra” i bëri popullit shqiptar përpara zgjedhjeve, publikuar në gazeten “Dielli” dhe nga artikulli “You‘ve got a friends in Albania”, botuar në gazeten “The Sun”, disa ditë përpara, desha të shpreh dhe unë mendimin tim për zgjedhjet, sidomos për raportin e çdo shqiptari ndaj tyre, kudo që të ndodhet, pavarësisht nga profesioni, mosha, feja, përkatësia politike etj.. Po e them që në fillim se populli ynë, e sidomos rinia shqiptare, pjesë të së cilës e  konsideroj dhe veten, duhet ta kuptojë e ta ndjejë thellë se votimi është njëkohësisht detyrë dhe përgjegjësi.

Pse u ndala tek ky problem, që mund të jetë i njohur për këdo? Përveç arsyes që përmënda në fillim të shkrimit, pata dhe një shtysë tjetër: kam lexuar në disa gazeta apo dhe ndjekur në televizion, mendimin apo propozimin e disa analistëve të njohur, duke bërë thirrje për bojkotim, për t’i dorëzuar fletët e votimit të bardha apo, edhe më keq akoma, për t’iu hequr atyre vizë e për t’i bërë të pavlefshme. Të gjitha këto mua më duken qëndrime jo serioze, të papërgjegjëshme dhe, mbi të gjitha nuk i shërbejnë askujt, veç prishin punë. Kjo për disa arsye.

E para se votimet nuk janë thjesht një ritual apo rregull që bëhen çdo katër vjet apo dhe më shpesh apo më rrallë, sipas rastit, por një mundësi e madhe për të përmirësuar gjendjen, për të çuar më tej arritjet e deritanishme apo për të ecur në rrugë të reja, të pashkelura deri tani, nëse do të kemi të bëjme me një opozitë serioze e që shqetësohet sinqerisht për fatet e vendit e jo për karriget që do të zërë në Parlament apo qeveri. Nëse ti nuk voton, me fjalë të tjera, ti sfidon një popull të tërë duke i çuar mesazhin se aq më bën se ç’po ndodh apo ku po shkon ai vend e ai popull, nga kemi dalë dhe ne. Vota, pra, për mua, i shërben edhe një lloj diagnostikimi të arritjeve të qeverise aktuale apo dhe vizioneve e programeve që ka shpalosur opozita.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë për ne kur kemi parasysh se jemi një popull i vogël dhe, siç ka treguar dhe përvoja e kaluar, ndodh që për rezultatin e zgjedhjeve të ketë rëndësi përcaktuese edhe një votë e vetme. E theksoj për ne, por kjo është një kërkesë që e ka evidentuar edhe përvoja e shteteve të tjera, deri edhe e SHBA-së, me këtë popullsi kaq të madhe. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi në shtetin e Floridës, gjatë zgjedhjeve presidenciale, në mes kandidatëve Bush dhe Al Gore.

Nga gjithë sa thashë më sipër, do ta quaja të tepërt të sillja argumente të tjera për pjesëmarrjen në votime. Cdo njeri duhet ta ndjejë për detyrë apo edhe si nder që po i jepet mundësia të ndikojë në të ardhmen e vendit e të popullit.

Për më shumë se 40 vjet, gjatë diktaturës që lamë pas,  populli ynë ka votuar nën presionin e të ashtuquajturit “pushtet i popullit”, që vetëm i popullit nuk ishte. Njerëzit çoheshin si të çmëndur që pa u gdhirë, si e si të shkonin të votonin, se po të vonoheshin, e dinin ata se ç’i priste. Unë po i quaj zgjedhje e votime edhe ato, por mbase duhen quajtur ndryshe, se në to as nuk votohej e as nuk mund të bëje ndonjë zgjedhe se qe vetëm një kandidat që ti mbase nuk i kishe dëgjuar as emrin deri atëhere. As që diskutohej paraqitja në qëndrën e votimit. Le të guxoje po të doje të mos votoje për të ashtuquajturin “kandidat të Frontit Demokratik”. Ishte një shfaqje e tillë groteske, që edhe ne që e kemi përjetuar vetë, na duket si e pabesueshme. Rezultati dihej e nuk kishte nevojë fare të hapeshin kutitë e votimit: në shumicën e rasteve qe 100 përqind apo, rrallë herë, 99 përqind. Përfitoj nga rasti të them një kuriozitet që mbase nuk e di ndonjeri, se ne, me ato zgjedhje, kemi hyrë në rekordet e Ginessi-t. Kush nuk beson, le ta verifikojë.

Kam votuar për herë të parë më 1988 dhe kandidat qe…shoku Ramiz, numuri një i shtetit. Radhët gjarpëruese të njerëzve qenë pa fund. Sot ato mund t’i shohësh veç në Korenë e Veriut të Kim Jong-Unit. Mbase dhe me këto nuk po them ndonjë gjë të re, por i përmenda se fatkeqësisht edhe në Shqipëri, ndonëse kanë kaluar më se dy dekada, ka akoma njerëz që votojnë në rresht dhe për të njëjtën parti që kanë votuar për vite me radhë. Ata akoma e konsiderojnë fletën e votimit si një formular pa shumë rëndësi dhe jo si një armë e fuqishme për të ndëshkuar ata që nuk kanë punuar mirë e për t’u hapur rrugën të tjerëve që e meritojnë.

Nëqoftëse kërkojmë të integrohemi në Europën e Bashkuar dhe të bëhemi pjesë e pandarë e saj, duhet të gjithë të marrim pjesë në votime dhe pas tyre, të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata që do të marrin stafetën dhe jo t’u futim shkopinj në rrota, siç ka ndodhur deri tani, në shumë raste. Vota është një impuls pozitiv për të gjithë: edhe për të papunët që të mos jenë më në atë status; edhe për punonjsit e administratës që të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve; edhe për biznesmenët që të jenë sa më profesionalë, të ndershëm e konkurues; edhe për fermerët që të mos kënaqen vetëm me rrugët e ujësjellësin por të kenë dhe mjekun e mësuesin në lartësinë e kohës; madje dhe për emigrantët që ta shohin Shqipërinë si mundësi bashkëpunimi e punësimi. Është për të ardhur keq që propozimi i kryeministrit Berisha, për të votuar dhe emigrantët nëpër konsullata kudo në botë, nuk gjeti miratimin e opozitës me Ramën në krye, me justifikimin se votat do manipuloheshin nga qeverija aktuale. Mua më duket i pa kuptimtë ky pretendim, duke pasur parasysh mjetet elektronike të sotme që i japin mundësi jo vetëm komisioneve të votimit por dhe çdo njeriu të kontrollojë rregullsinë e zgjedhjeve dhe pamundësinë e manipulimeve, kur kemi parasysh faktin se çdo gjë bëhet “live” në media. Kam përshtypjen se jo frika e manuipulimeve, por të tjera arsye qëndrojnë pas atij refuzimi.

Pa dashur të ndikoj tek asnjeri për votimet e ardhëshme, them se qeveria e deritanishme e ka përligjur plotësisht mandatin që i dha populli. Nuk po hyj në argumenta të thella, se nuk është vendi, por po e ilustroj atë përmes një shëmbulli konkret.

Unë për vete kam shkuar gati çdo vit në Shqipëri e kam ndjekur hap pas hapi ndryshimet e bëra atje. Siç ndodh me fëmijët që i sheh përditë e nuk e vë re rritjen e tyre, dhe unë i kam përjetuar ato ndryshime progresivisht, hap pas hapi.

Pak ditë më parë takova një mikun tim nga Lushnja, këtu në NY. Ai kishte 14 vjet pa shkuar në vendlindje dhe ishte çuditur, për të mos thënë mahnitur, nga ndryshimet rrënjësore që kishin ndodhur atje, si në infrastrukturë, ashtu dhe në shërbimet.

Arritjet e qeverisë aktuale të Shqipërisë, marrin përmasa më të larta, sidomos kur i krahason me shtetet e tjera, sidomos me fqinjët tanë, që po mbahen me paterica. Maqedonia e Sërbia po paralajmërohen çdo ditë se mund t’iu rivihen vizat për qytetarët e tyre. Shihni po deshët dhe Italinë e Greqinë, antare të BE-së, që po i shtyjnë ditët në “reanimacion”, me ndihmat/serume që po iu jep FMN-ja e BB-ja. Në Greqi u mbyll për mungesë fondesh edhe Televizioni Shtetëror, ERT-ja, ndërsa Italia detyrohet të ndërrojë kryeministrat çdo gjashtë muaj. Ndërkohë, në Shqipëri përurohen aq shumë autostrada të reja sa nuk janë përuruar kurrë ma parë. Rrogat e pensionet janë rritur progresivisht e plot arritje të tjera. Edhe të huajt habiten se si po e sfidon krizën rajonale e botërore ky vend i vogël. Faktet flasin vetë e komentet janë të tepërta.

Votuesi shqiptar s’ka se si të mos i ketë parasysh tërë këto kur shkon për të votuar. Ai tashmë e ka të qartë se nuk janë bllokimi i rezolutave, grevat e urisë, bojkotimet e ngërçet ato që do ta çojnë Shqipërinë përpara. A e dëgjuat se ç’tha ish-sekretari Mbrojtjes i SHBA-së, Rumsfeld, për arritjet tona? A thua se ai flet më kot, siç rokanis ndonjë nga analistët tanë? Këto i pohon në shkrimin e tij edhe Z.Peter Lucas, që cituam në fillim, i cili në fund i kujton administratës së Obames të mos harrojë se ka një mik me vlerë si Shqiperija.

Të jem i sinqertë me lexuesin, dua të bëj dhe një pohim të fundit. Nëse deri para pak muajsh kisha një farë rezerve për fitoren e së djathtës, sot kam bindjen se ajo është e vetmja alternativë për ta çuar Shqipërinë atje ku ëndërojnë tërë bashkëkombasit e mi.

Edhe njëherë, ju bëj thirrjen e zemrës: Votoni si qytetarë, dhe jo si ushtarë.