Vritet ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe

Tokyo, 8 korrik 2022 – Ish-kryeministri japonez, 67 vjeçari Shinzo Abe, vdiq pasi u qëllua me një armë zjarri, e cila duket se ishte e prodhuar në mënyrë artizanale, gjatë një tubimi zgjedhor të mbajtur sot. Policia arrestoi menjëherë në vendin e ngjarjes të dyshuarin për kryerjen e vrasjes. Shinzo Abe ishte një nga figurat më të shquara politike të pasluftës në Japoni. Lajmi për vrasjen e tij ka tronditur Japoninë, që njihet si një nga vendet më të sigurta në botë.

Ish kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe vdiq pasi u qëllua me armë zjarri gjatë fjalimit të tij në një tubim zgjedhor në perëndim të vendit.

Në disa pamje të publikuara në rrjete sociale shihet momenti dramatik pranë një stacioni treni në qytetin Nara.

Zoti Abe u qëllua nga pas, pak minuta pasi kishte marrë fjalën.

67 vjeçari u dërgua me helikopter në një spital për trajtim urgjent, por disa orë më vonë, mjekët njoftuan se ish-kryeministri ishte plagosur dy herë në qafë dhe se nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Policia arrestoi të dyshuarin për kryerjen e sulmit në vendin e ngjarjes. Autoritetet thanë se Tetsuya Yamagami, një burrë 41 vjeçar, dyshohet se qëlloi me një armë që duket se është prodhuar në mënyrë artizanale.

Televizioni NHK citoi të dyshuarin duke i thënë policisë se ai ishte i pakënaqur me ish-kryeministrin Abe dhe donte ta vriste.

Shtypi japonez njofton se i dyshuari kishte shërbyer për tri vite në Forcat Detare të Vetëmbrojtjes.

Kjo është vrasja e parë e një ish-kryeministri japonez, që nga përpjekjet për grusht shteti më 1936.

Ngjarja ka tronditur banorët e Japonisë, një nga vendet më të sigurta në botë, ku dhuna politike është shumë e rrallë dhe me disa nga ligjet më të rrepta të kontrollit të armëve.

Të dielën në Japoni zhvillohen zgjedhjet për dhomën e lartë të parlamentit.

Shinzo Abe shihej si një nga figurat më të fuqishme të Japonisë. Ish-udhëheqësi vazhdonte të kishte ndikim të madh në Partinë Liberale Demokratike që është në pushtet.

Ai ishte udhëheqësi që ka shërbyer më së gjati në Japoni. Në vitin 2006, në moshën 52 vjeçare, zoti Abe u bë kryeministri më i ri japonez, por u largua pas një viti për shkaqe shëndetësore.

Më 2012 ai u rikthye në detyrën e kryeministrit, ku shërbeu për dy mandate. Por, më 2020 u detyrua të largohet sërish për shkaqe shëndetësore.

Zoti Abe vjen nga një familje e pasur dhe me përvojë në politikë. Babai i tij kishte shërbyer si ministër i jashtëm ndërsa gjyshi si kryeministër.

Udhëheqës në mbarë botën shprehën ngushëllimet dhe tronditjen e tyre pas marrjes së lajmit për vrasjen e zotit Abe.

(Zëri i Amerikës)