Vritet në shtëpi Presidenti i Haitit Jovenel Moïse

Port-au-Prince, 7 korrik 2021 – Presidenti i Haitit Jovenel Moïse u vra gjatë një sulmi në rezidencën e tij private, njoftoi të mërkurën kryeministri i përkohshëm i vendit. Claude Joseph.

Z. Joseph e quajti vrasjen një “akt çnjerëzor e barbar urrejtjeje”.

Joseph njoftoi gjithashtu se gjatë sulmit që ndodhi gjatë natës u plagos edhe Zonja e Parë, Martine Moïse, e cila është shtruar në spital.

Para ngjarjes Haiti ndodhej në një situatë të pasigurt politike, e cila ishte bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme, ndërsa pakënaqësitë nën udhëheqjen e Jovenel Moïse-t ishin rritur. Presidenti po drejtonte me dekrete prej më shumë se dy vitesh pasi vendi dështoi të mbajë zgjedhje ndërsa opozita në muajt e fundit i kishte kërkuar atij të largohej nga detyra.

“Situata e sigurisë në vend ndodhet nën kontrollin e Policisë Kombëtare të Haitit dhe Forcave të Armatosura të Haitit”, thuhej në një deklaratë të zyrës së kryeministrit të përkohshëm. “Demokracia dhe republika do të fitojnë”, thuhej më tej.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rrugët ishin kryesisht të zbrazëta në kryeqytetin e vendit Port-au-Prince, por autoritetet thanë se në një zonë pati plaçkitje të bizneseve.

Zoti Jozeph tha se në Pallatin Kombëtar (rezidenca zyrtare e presidentit) janë dislokuar forca policie dhe sipas tij anëtarët e komunitetit të pasur të Pétionville-t do të dërgohet në zona të tjera.

Zoti Jozeph e dënoi vrasjen duke e cilësuar atë një “akt urrejtjeje, çnjerëzor e barbar”. Ai tha se disa nga sulmuesit kishin folur spanjisht por nuk dha detaje të tjera.

Problemet ekonomike, politike dhe sociale të Haitit janë thelluar kohët e fundit, me dhunën e bandave që mbizoron në Port-au-Prince, inflacionin në rritje dramatike e mungesë të ushqimeve e karburanteve, në një vend ku 60% e popullsisë fiton më pak se 2 dollarë në ditë. Këto probleme ekzistojnë ndërsa Haiti ende po përpiqet ta rimarrë veten nga tërmeti shkatërrues i vitit 2010 dhe Uragani Matthew që goditi në 2016.

Udhëheqësit e opozitës e kishin akuzuar 53 vjeçarin Jovenel Moïse se po kërkonte të fuqizonte pushtetin e tij, ndër të tjera nëpërmjet miratimit të një dekreti që kufizonte kompetencat e një gjykate që kontrollonte kontratat qeveritare, si dhe nëpërmjet një tjetër dekreti, i cili krijoi një agjenci zbulimi që i përgjigjej vetëm presidentit.

Në muajt e fundit, udhëheqësit e opozitës i kishin kërkuan atij të largohej nga detyra, duke argumentuar se mandati i tij kishte përfunduar ligjërisht në shkurt të vitit 2021. Zoti Moïse dhe mbështetësit e tij kishin thënë se mandati i tij kishte nisur kur ai kishte marrë detyrën në fillim të 2017, pas një procesi zgjedhor kaotik që detyroi emërimin e një presidenti të përkohshëm për të shërbyer gjatë një boshllëku një vjeçar.

Haiti kishte planifikuar të mbante zgjedhjet e përgjithshme më vonë gjatë këtij viti.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*