Vuçiq akuzon rëndë KFOR-in: Po u ndihmoni shqiptarëve që të shtypin serbët

Beograd, 24 gusht 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar ashpër misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për shtimin e prezencës në pjesën veriore të Kosovës.

Vuçiq, i cili të dielën i bëri thirrje KFOR-it të mbrojë popullsinë serbe në pjesën veriore të Kosovës, të mërkuren në mbrëmje ka thënë se KFOR-i ka vënë bllokada në mes fshatrave të banuara me serbë në këtë pjesë të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se nga NATO do të kërkojë të shpjegojë mandatin e KFOR-it. 

“Lidhur me KFOR-in dhe me atë që po bën NATO, në dy-tri ditët e ardhshme, pas bisedimeve me ndërmjetësuesit (Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak), do të dërgoj një letër, sepse ne e interpretojmë ndryshe rolin e NATO-s dhe KFOR-it. Janë ata që po e bllokojnë lëvizjen”, ka thënë Vuçiq.

Ai u është drejtuar KFOR-it me akuza të rënda, të formuluara në formë pyetjesh retotike, se ky mision po mbështet shqiptarët, madje edhe po i stërvit ata, për t’i shtypur serbët.

“Kundër kujt luftoni ju kur vendosni barrikada mes dy vendbanimeve serbe në të cilat pothuajse nuk ka asnjë shqiptar apo automjet (të shqiptarëve). Qëllimi juaj është të mbroni popullatën serbe. Përse u ndihmoni shqiptarëve që ta shtypin këtë pakicë (serbe)? Përse stërvitni bashkë me shqiptarët për keqtrajtimin e serbëve? A është kjo detyra juaj apo të ndihmoni serbët të qëndrojnë në vatrat e tyre? Ata nuk kuptojnë. Vullnetin njerëzor nuk mund ta mundni. Si do ta ndryshoni vullnetin e zejtarëve, mësuesve, minatorëve serbë? Si do të veproni kur do të dalin (në rrugë) me mantela të bardhë? A dëshironi edhe atëherë të hidhni bomba tymosëse dhe të qëlloni ndaj tyre? Kriza zgjidhet me bisedime politike. Ju kërkojmë vetëm të respektoni marrëveshjet që janë nënshkruar”, është shprehur Vuçiq, citon gazeta serbe “Novosti”.

Vuçiq ka thënë se ai nuk është kundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por është kundër pavarësisë së Kosovës.

“T’i quajmë gjërat me emrat e tyre të vërtetë. Vuçiqi nuk është i gatshëm ta pranojë Kosovën. Kjo për ta do të thotë normalizim! Duam t’i zgjidhim problemet midis serbëve dhe shqiptarëve, por jo, nuk dua ta njoh Kosovën dhe prandaj qenkam kundër normalizimit!? Shikoni çfarë shkruajnë disa medie botërore! Çfarë gënjeshtarësh!”, ka shtuar ai.

(r.m.)