Vuçiq ankohet, trillon, akuzon, lutet, por edhe kërcënon…

Beograd, 31 gusht 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ankua, trilloi, akuzoi, u lut, por edhe u këcërnua, të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, në pallatin presidencial, në Beograd.

Të gjitha për shkak të dy vendimeve legjitime të Qeverisë së Kosovës që do të fillojnë të zbatohen në Kosovë, të hënën, më 1 gusht: vendimit për letënjoftimet dhe për targat e automjeteve.

Vuçiq u ankua se Prishtina po e shfrytëzon situatën aktuale në botë për të realizuar qëllimet e saj në Kosovë. Ai tha se serbët në Kosovë arrestohen vetëm për shkak se besojnë se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Dje janë arrestuar djemtë që kishin veshur bluza me mbishkrimin ‘Nuk ka dorëzim’, që është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë në të cilën ata besojnë”, tha ai.

Vuçiq trilloi se në vendkalimet kufitare me Serbinë, të cilat ai e quajti “vendkalime administrative”,  qytetarëve me letërnjoftime të Serbisë gjoja do t’u ndalohet hyrja në Kosovë, qofshin ata edhe shtetas të Kosovës.

“… I kanë dërguar njësitë e tyre (…) në vendkalimet administrative Jarinjë e Bërnjak, me qëllim që t’i ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime serbe”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë t’u imponojë asgjë serbëve në Kosovë, sidomos atyre në pjesën veriore të Kosovës.

“Kanë marrë vendim t’u imonojnë gjëra që nuk kanë të drejtë t’ua imponojnë, para së gjithash në veri të Kosovës e Metohisë (Kosovës)”, tha ai.

Vuçiq e akuzoi Qeverinë e Kosovës se “po i intepreton në mënyrën e saj” marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas tij, marrëveshja për lëvizjen e lirë, e cila ishte nënshkruar në vitin 2011, nuk ka të bëjë me serbët e Kosovës, por me udhëtarë që kalojnë tranzit nëpër Kosovë dhe nëpër Serbi.

“Prishtina thirret në pikën 3 të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, të cilën e kanë nënshkruar Borko Stefanoviq e Edita Tahiri, në vitin 2011, në të cilën thuhet se secila palë mund të aplikojë një sistem sipas të cilit letërnjoftimet e personave që udhëtojnë transit për në vendet të treta do të shoqërohen me një dokument të shkruar hyrje-daljeje, duke e përdorur një gjuhë neutrale për statusin (e Kosovës)”, tha ai.  

Vuçiq e akuzoi Qeverinë e Kosovës për shkak se masat e reciprocitetit me Serbinë i mori në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ndonëse, sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e Serbisë.

“Shqiptarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë dhe thonë: ‘Ky është reciprocitet dhe ne kemi të drejtë për këtë në bazë të Kushtetutës së Kosovës’. Në bazë të Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e Serbisë, por ne nuk shkojmë atje me armë, për ta kthyer kontrollin e Republikës së Serbisë në bazë të të drejtës kushtetuese”, tha ai.

Vuçiq iu drejtua me një “lutje të madhe” vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës që të “kujdesen pak për realitetin në terren” dhe “të mos i lejojnë shqiptarët të provokojnë konflikt” në Kosovë.

“U lutem përfaqësuesve të vendeve të mëdha e të fuqishme që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e Metohisë (Kosovës) që të kujdesen pak për të drejtën ndërkombëtare, për realitetin në terren, dhe të mos lejojnë që të mbrojturit e tyre të provokojnë konflikt. Kjo është lutja ime.kjo është lutja ime e madhe”, u shpreh ai.

Por, Vuçiq edhe e paralajmëroi Kosovën, madje edhe e kërcënoi.

“Në qoftë se Prishtina guxon të nisë persekutimin e serbëve, keqtrajtimin e serbëve, vrasjen e serbëve, Serbia do të fitojë. Në qoftë se nuk do të duan ta ruajnë paqen, unë po ju them: Serbia do të fitojë”, u shpreh ai.

(r.m.)