Vuçiq lejon atletët e Serbisë të marrin pjesë në garë me atletët e Kosovës

Beograd, 9 korrik 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, u ka thënë të premten dy përfaqësuesve serbë në Lojërat Olimpike të Tokios, që të marrin pjesë lirisht në gara me përfaqësuesit e Kosovës.

Vuçiq është takuar të premten në Beograd me sportistë dhe anëtarë të ekipit olimpik të Serbisë, që do të marrin pjesë në Lojërat në Japoni.

Ai u është drejtuar në mënyrë të veçantë lojëtarëve të xhudos dhe taekwondos.

“Milica dhe Marica, meqënëse do të keni garues nga e ashtuquajtura Kosovë, mos u shqetësoni për asgjë. Ju merreni me sport. Fitoni ose humbni, mos u shqetësoni, ne do të jemi me ju. Thjesht, bëjeni punën tuaj dhe asgjë tjetër. Ne nuk do t’ju detyrojmë të bëni veprime politike, do t’ju mbështesim, do t’ju duam dhe nuk do t’ju kërkojmë asgjë”, ka thënë Vuçiq, citon REL.

Lojërat Olimpike në Tokyo do të nisin më 23 korrik dhe do të përfundojnë më 22 gusht.

(r.m.)