Vuçiq: Në Kosovë na pret situatë më e vështirë se asnjëherë, diçka që nuk ka ndodhur më parë

Beograd, 28 maj 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar ngritje të tensioneve në komunat veriore të Kosovës. Ai ka thënë se në këtë pjesë të Kosovës do të ndodhë “diçka që nuk kemi parë më parë”.

“Në Kosovë na pret situata më e vështirë, diçka që nuk kemi parë më parë, diçka që as nuk mund ta kishim ëndërruar se do të ndodhte, e gjitha kjo për shkak të veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të Kurtit”, ka thënë ai të dielën në mbrëmje, në televizionin “Pink”.

Vuçiq ka thënë se serbët në veri të Kosovës do të protestojnër nesër (e hënë) kundër “uzurpimit të ndërtesave të tyre nga regjimi i Kurtit”.

“Serbët gjithsesi do të protestojnë, serbët do të kërkojnë kthimin e ndërtesave të tyre, të cilat u janë uzurpuar, të cilat regjimi i Kurtit ua ka marrë me përdorimin brutal të forcës policore”, ka thënë ai.

“Unë e di që serbët nuk mund ta tolerojnë këtë dhe e di që ky tjetri (kryeministri i Kosovës, Albin Kurti) që shkaktoi gjithçka, nuk dëshiron të tërhiqet as me çmimin e kokës së tij. Ai dëshiron shumë, ëndërron dhe fantazon të jetë një Zelenski (Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky)”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se nga disa ambasadorë ka marrë mesazhe në të cilat ata shprehen të shqetësuar për ngjarjet e nesërme dhe për të ardhmen në pjesën veriore të Kosovës.

“Unë u thashë se jam po aq i shqetësuar, sepse atje është populli ynë”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se në të ardhmen pret që ndaj Serbisë të ushtrohet presion pikërisht për shkak të Kosovës, por edhe për shkak të pozicionit ndërkombëtar të Serbisë.

Ai i ka falënderuar serbët në Kosovë për, siç është shprehur, “mbrojtjen e atdheut tonë”, por u ka bërë thirrje që “të mos bien në provokimet e Prishtinës.

“U lutem që të mos bien në provokimet e Prishtinës, ndonëse e di se gjithçka do të jetë shumë, shumë e vështirë”, tha ai.

Sidoqoftë u ka premtuar se Serbia do të jetë gjithmonë prapa tyre, pavarësisht se çfarë do të ndodhë dhe si do të reagojë dikush në botë.

“Gjithmonë keni pas vetes vendin tuaj, Serbinë tuaj”, është shpehur Vuçiq.

Portal KoSSev raportoi se ka marrë vesh se për nesër në mëngjes është paralajmëruar një tubim i punonjësve të institucioneve serbe në Mitrovicën Veriore para ndërtesës së komunës së Zveçanit

Deri të premten, në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, komunat e Kosovës dhe komunat e Serbisë kanë funksionuar në të njëjtat ndërtesa, ndonëse ato nuk e njohin njëra-tjetrën.

(r.m.)