Vuçiq: Nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë

Beograd, 27 shtator 2021 – Ambasadorët e vendeve të QUINT-it ( SHBA-së, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë) dhe me shefin e Delegacionit të BE-së në Beograd,  gjatë një takimi që kanë pasur të hënën, më 27 shtator, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë kërkuar “de-eskalimin e krizës” në veri të Kosovës.

Por, sipas komunikatës së lëshuar nga kabineti i Vuçiqit, presidenti i Serbisë nuk është lëkundur nga pozicioni i tij.

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë apo të qytetarëve të saj”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Serbët në veri të Kosovës i kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe në Bërnjak, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës, për t’i mbrojtur ato dhe për të mbrojturintegritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Në anën tjetër, ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, ndërsa aeroplanët dhe helikopterët luftarakë kanë fluturuar disa fare pranë bllokadave në veri të Kosovës.

Beogradi zyrtar e akuzon Kosovën se po e shkel Marrëveshjen për lëvizje të lirë të nënshkruar në vitin 2011 dhe më 2016 në Bruksel.

Ndërkaq, Prishtina thotë se marrëveshja parashikonte heqjen e çfarëdo pengese në lëvizjen midis dy vendeve, por Serbia vazhdon me praktikën e heqjes së targave “RKS”, kështu që Kosova është detyruar të veprojë në të njëjtën mënyrë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se ai ka propozuar që të dyja palët të heqin çfarëdo mase që e pengon lëvizjen e lirë, përfshirë targat e përkohshme, por propozimi i tij është hedhur poshtë nga Beogradi.

(r.m.)

Comment

*