Vuçiq: Rusisë i jemi mirënjohës për mbështetjen lidhur me Kosovën, por, për ne, Krimeja dhe Donbasi janë Ukrainë

Davos, 19 janar 2023 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia i është mirënjohëse Rusisë për mbështetjen lidhur me Kosovën, por nuk e mbështet invazionin rus në Ukrainë.

“Ne, qysh në fillim, kemi thënë se nuk jemi në gjendje dhe nuk mund të mbështesim invazionin e Rusisë në Ukrainë. Për ne krimeja është Ukrainë, Donbasi është Ukrainë. Kështu edhe do të mbetet”, ka thënë Vuçiq për medien amerikane “Blumberg”.

Megjithatë, ai ka thënë se Serbia nuk mund të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë pikërisht për shkak të mbështetjes së Moskës në lidhje me çështjen e Kosovës.

  “Ne kemi qenë nën sanksione pothuaj 10 vjet, në fakt 8 vjet, dhe nuk besojmë se kjo është zgjidhje’, ka thënë ai.

I pyetur rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçiq ka thënë se është më reale të bëhet përparame hapa të vegjël se sat ë pritet një zgjidhje e madhe dhe e shpejtë që do të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Duhet ta ndryshojmë situatën në terren përmes hapave të vegjël, të krijojmë besim midis dy palëve, e pastaj të shohim se si t’i qasemi çështjeve të tjera. Nuk duhet ëndërruar për diçka që të gjityhë e dijmë se është e pamundur të ndodhë”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se “ka disa muaj” që nuk ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, siç shkruan “Blumberg”, ka pasur dhjetra takime, madje edhe “ka marrë orë të rusishtes për të biseduar me të”.

“Blumberg” shkruan se Serbia ka dalë nga “orbita ruse’ e ekonomisë  prej disa vitesh dhe thekson se Bashkimi Evropian është partneri kryesor  ekonomik i Serbisë, ndërsa Rusia merr pjesë me vetëm afër 6 për qind në shkëmbimet tregtare të Serbisë.

Vuçiq ka thënë se janë qytetarët e Serbisë ata që do të deklarohen me referendum lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ka shprehur bindjen se Serbia do të bëhet anëtare.

“E di se ardhmja jonë është në BE. Nuk ka rrugë tjetër”, ka theksuar Vuçiq.

(r.m.)