Vuçiq: Serbia do t’i kundërpërgjigjet ofensivës diplomatike të Kosovës

Bled (Slloveni), 1 shtator 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ka informacione se më 4 shtator Kosova do të fillojë “ofensivën” diplomatike për njohje të reja dhe për pranim në organizata ndërkombëtare.

Ai ka thënë se me këtë hap, Kosova heq dorë nga zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Uashingtonit, me të cilën Kosova ishte pajtuar që një vit tës mos lobojë për njohje të reja dhe të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ishte pajtuar të ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq ka thënë se fushata diplomatike Kosovës për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, siç është shprehur, “do të sjellë paqëndrueshmëri shtesë në rajon” dhe ka theksuar se Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të kundërpërgjigjet.

“Puna jonë është të përgatitemi dhe t’i përgjigjemi kësaj”, ka thënë Vuçiq.

Sidoqoftë, Vuçiq ka thënë se Serbia është e gatshme në çdo kohë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, në Bruksel.

Presidenti i Serbisë i ka bërë këto komente në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, ku po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore, si edhe udhëheqës e përfaqësues të Bashkimit Evropian.

(r.m.)

Comment

*