Vuçiq tha se me KEDS-in është arritur marrëveshje për energjinë në pjesën veriore të Kosovës

Beograd, 11 qershor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 10 qershor se marrëveshja me Kosovën për energjinë është drejt përfundimit.

Ai tha se për këtë çështje ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Sot kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar. Shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike (që të rregullohet) dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike nuk mohon e as pohon nëse kanë zhvilluar bisedime me Serbinë për këtë çështje. Por, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se çdo marrëveshje e do ta përmirësonte situatën në veri të Kosovës.

“Çdo marrëveshje e arritur do ta ndryshonte situatën për mirë”, tha Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), nga viti 2013 është nën menaxhimin e konsorciumi turk “Çalik-Limak”. KEDS ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës dhe menaxhon dhe mirëmban asetet në terren.

Qeveria e Kosovës nuk i ka komentuar ende deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çështja e energjisë elektrike në veri të vendit ka qenë subjekt i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi i dialogut. Në kuadër të dialogut në viitin 2013 palët kishin arritur një marrëveshje për çështje të energjisë, por ajo nuk është zbatuar deri më tani.

Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) humbjet nga faturat e papaguara për energjinë në veri, vetëm për vitin 2021, kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh.

Nga viti 1999 e deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e Kosovës. Më 2017 Gjykata e Apelit e pezulloi këtë praktikë, pasi e vlerësoi të paligjshme. Ky vendim u konfirmua më vonë edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Aktualisht, faturat për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës i paguan KOSTT-i, gjegjësisht Qeveria e Kosovës, e cila ndan mjete nga buxheti i shtetit.

(REL)