Vuçiq tha se me Putinin janë marrë vesh për furnizimin e Serbisë me gaz nga Rusia

Beograd, 29 maj 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se me Presidentin i Rusisë, Vladimir Putin, kanë rënë darkord për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin e Serbisë me gaz nga Rusia.

Presidenti serb tha se pajtimi është arritur të dielën, gjatë një bisede telefonike, por nuk dha më shumë hollësi rreth marrëveshjes, e cila pritet të përmbyllet gjatë ditëve të ardhshme me kompaninë shtetërore ruse Gazprom.

Më 31 maj skadon një marrëveshje dhjetëvjeçare për gazin, ndërsa marrëveshja e re, sipas presidentit serb, do t’i sigurojë Serbisë furnizim trevjeçar me çmime më të mira se sa të gjitha vendet tjera evropiane.

Që nga viti 2008 sektorët e gazit dhe të naftës në Serbi janë në duart e kompanive ruse.

Presidenti serb u tha medieve në Serbi se presidenti rus e ka njoftuar për situatën rreth Ukrainës, duke nënvizuar se ka një marrëveshje që i është ofruar Kievit dhe vendeve perëndimore, por pa dhënë ndonjë hollësi.

Serbia, e cila synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është vënë nën trysni nga vendet perëndimore për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me bllokun dhe për t’i vendosur sanksione Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Më herët gjatë këtij muaji, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se “të mbash lidhje të ngushta me regjimin e Vladimir Putinit, nuk është më në përputhje me ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët me Bashkimin Evropian”.

Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj aleates së vjetër e cila mbështetë Beogradin në qasjen e tij nga pavarësisë së Kosovës.

Presidenti serb i cili më 7 qershor pret në Beograd ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ritheksoi të dielën se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë sanksionet ndaj Rusisë, ndonëse siç tha, pret shtimin e trysnisë ditëve të vijim kur Beogradin pritet ta vizitojnë zyrtarë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholtz.

(Zëri i Amerikës)