Vuçiq thërret Këshillin e Sigurisë, pas vendimit të Kosovës për reciprocitet me targa

Beograd, 20 shtator 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar për , siç thuhet, “ngjarjet e fundit” në Kosovë.

Gazeta beogradase “Novosti” raporton se mbledhja është ftuar për të martën në orën 10.

Sipas burimeve të gazetës, temë qendrore e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë do të jetë vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Qeveria e Kosovës sot (e hënë) mori vendim që të gjitha automjetet e Serbisë që hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme (TP), njësoj siç vepron Serbia prej kohësh me targat e automjeteve të Kosovës me targa me akronimin “RKS” (Republika e Kosovës), të cilat zëvendësohen me targa të përkohshme “Proba” (Prova).

(r.m.)