Vuçiq thotë se është i gatshëm të takohet me Kurtin

Pragë, 19 maj 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se ai është gjithmonë i gatshëm për dialog

“Jam duke pritur të më njoftojnë. Nëse do të jetë një ditë pushimi për mua do të shkoj, por nëse jo atëherë do të kërkoj që takimi të caktohet për një ditë tjetër”, ka thënë Vuçiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Vuçiq i ka bërë këto komente në Pragë të Çekisë, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë çekë, të martën dhe të mërkurën.

Pas darkës së punës së udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, më 18 maj, Kurti njoftoi se do të takohej me presidentin e Serbisë në mes të qershorit në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.

(r.m.)

Comment

*