Vuçiq thotë se Serbia “po i qaset seriozisht zgjidhjes së krizës” me Kosovën

Beograd, 23 gusht 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia po e trajton seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

Këto komente ai i bëri pas një takimi me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, më 23 gusht në Beograd.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca serbe, dy zyrtarët kanë biseduar për situatën në rajon, me theks atë pas rundit të dialogut të javës së kaluar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimin dypalësh.

Presidenti serb, siç thuhet, “i ka shpjeguar ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Prishtinën” dhe ka shtuar se ai është duke marrë pjesë në dialog me “përgjegjësi dhe konstruktivitet”.

Ai shtoi se serbët që jetojnë në Kosovë “kërkojnë pa kushte” formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq, siç thuhet në njoftim, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës të mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave, të banuara me shumicë serbe.

Megjithatë, marrëveshja me NATO-n parasheh që Kosova duhet të kërkojë pëlqimin e aleancës veri-atlantike për hyrjen në veri vetëm për Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK).

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak të martën dhe të mërkurën vizitojnë Prishtinën, dhe më pas Beogradin.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ata do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës, si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është dashur të zbatohet nga 1 gushti, por Prishtina zyrtare ka vendosur ta shtyjë fillimin e zbatimit për një muaj, pas kërkesës së BE-së dhe SHBA-së.

(REL)

One Response to “Vuçiq thotë se Serbia “po i qaset seriozisht zgjidhjes së krizës” me Kosovën”

Read below or add a comment...

  1. Sejdi says:

    Deklaratat e këtij zotëriut Hill, më ngjallin drojën se mos është paguar, jo nga tjetërkushi, pos nga klani ruso-serbijan, për të krijuar ftohje dhe zbehje të besimit të shqiptarëve ndaj SHBA-së mike.
    Shqiptarët janë deklaruar hapur dhe në çdo rast SHBA-ës, jo vetëm se i konsiderojnë, por edhe i ndien si mike të sinqerta dhe të sigurta, të cilat i ndihmuan dhe do të vazhdojnë t’i ndihmojnë përpjekjet e tyre për të realizuar të drejtën e tyre, për të jetuar dhe me dinjitet të pa nëpërkëmbura në Atëmëmdheun e tyre sovran. Por, deklarata e këtij diplomati me përvojë, edhe një dëshmi më shumë se nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e tij, para luftë çlirimtare të UÇK-së, që Kosova ta gëzojë një autonomi substanciale në kuadër të Serbisë të udhëhequr nga hegjemonizmi serbomadh, të drejtuar nga shefi i Vuçiçit – Kasapin e popujve Milosheviq!
    Shkurt, edhe pas kësaj deklarate e tij e fundit, nuk mund të të qojnë në përfundim për të besuar (si disa sojsëzë)se është deklarata premtuese për një të ardhme tonë paqësore në vendin tonë. Zaten ky përfaqësues zyrtar i Amerikës mike, duhet konstatuar me keqardhje se të ngjallë frikën nga dinakëria e rryer, nga përvoja e tij politike dhe diplomatike, të cilën ka filluar ta praktikoj në formë të lajkave, që nga ditët e para në Beograd. Përballë, këtyre deklaratave pro serbo-ruse mjegullohet rëndësia zhvendosjes së pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, sipas kompetencave të KFOR. Pra, edhe deklarata e fundit e z.Hill, sikur ka për qëllim të e zhvlerësojë synimin dhe arsyen e këtij veprimi. Përveç tjerash, kjo deklaratë e ambasadorit Hill, më tingëllon si një kundërshtim me deklarimet dhe përpjekjet e të dërguarit special amerikan, zotit Gabriel Escobar…