Vuçiq u bën thirrje serbëve që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n

Beograd, 29 maj 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n dhe të protestojnë në mënyrë paqësore. Ai theksoi se konfliktin e serbëve me NATO-n e dëshiron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai iu drejtua qytetarëve serbë të hënën në mbrëmje, pasi KFOR-i ndërhyri për të shpërndarë protestuesit serbë para ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Vuçiq tha se gjatë ditës ka biseduar në telefon me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe me zëvendëspresidentin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Antonio Tajani. Ai tha se i dy zyrtarët evropian i ka njoftuar “për gjithçka që po ndodh në Kosovë”.

Ai tha se të martën në mëngjes, më 30 maj, do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Beograd.

Presidenti i Serbisë dhe serbët “do të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, por prapë nuk e përjashtoi përdorimin e dhunës nga protestuesit.

“Nëse pushtuesi shqiptar qëllon, atëherë situata do të jetë ndryshe”, tha ai.

Madje, u kërcënua edhe me ushtri. Ai njoftoi se forcat ushtarake serbe tashmë janë dislokuar “atje ku është e nevojshme”.

“Ne i kemi dislokuar forcat tona në vendet ku mendoj se është e nevojshme”, tha ai.

Vuçiq tha se gjatë intervenimit të KFOR-it në Zveçan janë lënduar 52 serbë, prej të cilëve, sipas tij, tre kanë pësuar lëndime të rënda.

(r.m.)