Vuçiq: Zhvilllimi raporteve mes Prishtinës e Athinës nuk është lajm i mirë për Serbinë

Beograd, 26 maj 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se Athina e ka siguruar Beogradin se nuk do ta njohë Kosovën. Por, ka shtuar se zhvillimi i raporteve mes Kosovës dhe Greqisë “nuk është lajm i mirë” për Serbinë.

Kështu është përgjigjur Vuçiq kur është pyetur lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës nga ana e Greqisë.

“Nuk do të doja të flisja para se të dimë diçka, por ka pasur disa ndryshime në marrëdhënie. Pres të shoh nëse bëhet fjalë thjeshtë për një zyrë tregtare apo për diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës, siç thonë ata, domethënë mes Prishtinës dhe Athinë. Do ta shohim”, i ka thënë Vuçiq televizionit Pink, citon Radio Evropa e Lirë.

Greqia dhe Kosova së fundmi e kanë thelluar bashkëpunimin, kryesisht në sektorin e ekonomisë. Më fund të muajit prill është mbajtur forumi i tretë ekonomik Kosovë-Greqi, me fokus në sektorin e energjisë.

Ky forum ishte organizuar nga ministritë e Jashtme të të dyja vendeve, në koordinim me Zyrën Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës në Athinë dhe në bashkëpunimin me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odën Ekonomike dhe Industriale të Pireut, në Athinë.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, por e ka hapur zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë, me të gjitha shërbimet që ofrohen nga një ambasadë.

Në muajin priull, udhëheqësja e kësaj zyre, ambasadorja Chryssoula Aliferi, ka deklaruar se pozicioni i Greqisë ndaj pavarësisë së Kosovës, “mbetet i pandryshuar”, por ka theksuar se Greqia e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe, në këtë kontekst, e mbështet edhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së”, ka thënë ajo.

Zonja Aliferi ka konfirmuar se Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë i ka bërë ftesë përvizitë zyrtare në Greqi ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Më 15 prill, gjatë një takimi me ambasadoren Aliferi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që Greqia t’u bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur edhe katër shtete tera anëtare të Bashkimit Evropian: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.

(r.m.)

 

Comment

*