Washington DC: Përurohet Muzeu i viktimave të komunizmit në botë, i pari i këtij lloji…

Nga Visar ZHITI

I hap dyert për të gjithë, për kujtesën e popujve, Muzeu i ri i Fondacionit VOC (Victims of Communism) në Washington DC, mu në qendër të kryeqytetit, në Sheshin McPherson (900 St, 15 NW).
Është ngjarje, shenjon një hap përpara, nuk është thjeshtë një muzeum më shumë në muzeumet e mrekullueshme që ka SHBA, por në këtë kohë revanshesh nga e kaluara andej, është jo vetëm kujtesë e njerëzimit, por qendrim dhe të kuptuar i madh, përballje, shpresë e fortë dhe të vazhdosh të prish…
SHBA nuk e ka vuajtur komunizmin vetë, dihet, por puna dhe lufta që ka bërë për shëmbjen e diktaturave komuniste, është historike dhe aktuale, vendimtare dhe ja, tani dhe muzeu i kujtesës si asgjekundi tjerër…
Përkujtohen kështu më shumë se 100 milionët e vrarë nga regjimet komuniste, më tepër se ç’vranë dy luftrat botërore së bashku. Çfarë tragjedie botërore! Teksa sot 1,5 miliardë njerëz janë ende nën qeveritë komuniste, armike ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të tilla janë kumtet që na vijnë nga ky muze i ri.
Po vendi ynë që po kalon një tranzicion postkomunist të zgjatur e të mundimshëm? Ç’thotë dhe ç’do të bëjë?
“Hapja e këtij muzeu në një kohë kaq të rëndësishme është kulmi i më shumë se tre dekadave të punës dhe donacioneve”, tha Ambasadori Andrew Bremberg, President dhe CEO i VOC. “Ekipi i historianëve, arkitektëve dhe artistëve që kontribuan, kanë qenë të klasit botëror dhe besimi ynë është që muzeu do të shërbejë si një vend, ku të gjitha viktimat e komunizmit mendojnë se historia e tyre po dëgjohet.”
Të dëgjohemi! Këtu fillon…
…është muzeu i parë në botë, qê përshkruan historinë e komunizmit si dhe shtrirjen e tij aktuale globale në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Vizitorët mund të shikojnë filma dhe të marrin pjesë në ekspozita interaktive moderne që sjellin në jetë historitë e viktimave dhe të të mbijetuarve, informohemi.
A do të këtë dhomë të Shqipërisë, një stendë për vuajtjen e saj të madhe nën diktaturën më të egër të Europës Lindore, qoftë dhe një relike a një libër?
Di që në përurim mes të ftuarve të shumtë ishin nga miqtë tanë shqiptarë, që e kanë ndjerë në lëkurë të tyre atë vuajtje, znj. Merita McCormack si dhe zz. Cesar Ndreu me Haxhi Dautin, shqiptar nga Maqedonia, ndërkaq dhe donatorë të muzeut, tani qytetarë amerikanë ashtu si mijëra bashkatdhetarë tanët në SHBA, ku gjetën ëndrrën e tyre të lirisë dhe të mirëqenies, bashkë dhe me nga ata që ishin në anën tjetër, atë të persekutorëve. Kujtesa, aq sa na ndan, edhe na bashkon, muzeun mund ta vizitojmë së bashku dhe ta gjykojmë të kaluarën, ta dënojmë të keqen.
Për të kujtuar! – është shkruar dhe shqip në muze krahas gjuhëve të tjera, që vuajtën, se edhe gjuha vuan.
A do të këtë dhomë të Shqipërisë, stendë a një relike, pyes sërish?
Shtetet si Polonia apo Hungaria, kanë investuar në ngritjen e këtij muzeu, madje dhe me miliona dollarë, ndërsa ne, ish të burgosurit shqiptarë nuk paguajmë dot, as nga dëmshpërblimi ynë, që nuk mjafton. Me vuajtjen tonë s’bëjmë tregti, por shoqëria shqiptare, shteti vetë duhet të kujdeset, që ta njoha bota vuajtjen dhe qëndresën e të burgosurve shqiptarë nën diktaturë, kundërshtitë dhe martirizimin e tyre, sepse dhe shqiptarët farkëtojnë bashkë me kujtesën e tyre dhe ndërgjegjen dhe pêrpjekjet për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Të përftohen vlerat e larta dhe aftësitë për t’u përballur me të kaluarën duke e njohur thellë dhe drejt atë, që të mos përsëritet, – e thënë shpesh kjo.
Shqipëria të bëje muzeun e saj, burgjet e Spaçit, Qafë-Barit, etj, se BunkArt 1 apo 2 apo “Shtëpia me gjethe” a ndonjë shtëpi tjetër në qendër nuk mjaftojnë, aq më tepër që ato tregojnë diktaturën, forcën e saj, por ende jo qendresën dhe përballjen me të, qoftë dhe e një apartamenti të thjeshtë, ku fshehurazi dëgjonin “Zërin e Amerikës”. Dhe pastaj do të dinte të lidhej më mirë e më sinqerisht e të bëhej partner besimplotë me botën euroatlantike, do ta kuptonin e do ta pranonin krahëhapur, edhe nëse dhe në diplomacinë e saj do të kishte gjithnjë e më pak nga persekutorët e bijtë e tyre dhe të vinin gjithnjë e më shumë nga të persekutuarit e bijtë e tyre. Gjithsesi Muzeu i Viktimave të Komunizmit në Washington DC na pret së bashku. Edhe Kujtesa e së Ardhmes. Ta ndërtojmë mirë të gjithë.