Weber: Propozimin evropian – një marrëveshje e ndërmjetme vështirë e definueshme

Berlin, 27 shkurt 2023 – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos jetë një zgjidhje afatgjate për problemet mes dy vendeve.

Kështu ka shtjelluar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin në një analizë të publikuar të hënën, më 27 shkurt.

Kjo analizë është publikuar disa orë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Weber e ka kritikuar propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë që është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.

Ky propozim u është dorëzuar palëve vitin e kaluar dhe është pranuar nga Kurti dhe Vuçiq. Megjithatë, ai nuk është bërë publik.

Weber ka kritikuar faktin se ky propozim, në formën e tanishme, nuk ka synim përfundimtar arritjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “propozimi aktual përfaqëson një marrëveshje të ndërmjetme që është e dizajnuar keq dhe është vështirë e definueshme”.

Sipas kësaj analize, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe zbatohet do të ketë disa rezultate të shpejta për Kosovën që përfshin pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), e të tjera.

Megjithatë, sipas Weber, kjo “do të dështonte në perspektivën afatgjatë, për shkak të mungesës të një masterplani strategjik dhe një udhërrëfyesi që definon qartë hapat e mbetur deri në rezultatin përfundimtar – njohjen e Kosovës nga Serbia”.

“Propozimi i Brukselit nuk ofron zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për integrimin e serbëve të Kosovës në Republikën e Kosovës. Kjo do të forconte kontrollin e Beogradit mbi serbët e Kosovës”, u tha në analizë.

(REL)