Xhaçka: Pa meritokraci nuk ka qëndrueshmëri në shërbimin diplomatik

Betohen 14 diplomatë të rinj të Shqipërisë në ceremoninë për gjeneratën “Iliaz Vrioni”

Knid Ndrenika

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka tha në Tiranë se nuk ka qëndrueshmëri pa meritokraci në shërbimin diplomatik.

Zonja Xhaçka mbajti fjalën e rastit në ceremoninë e betimit në shërbimin e jashtëm të 14 diplomatëve të rinj të Shqipërisë të gjeneratës “Iliaz Vrioni”.

Ajo tha se të rinjtë po bëhen pjesë e diplomacisë shqiptare në një situatë shumë domethënëse për vendin dhe se meritokracia do të jetë baza e shërbimit të jashtëm.

Sipas ministres, politika e jashtme e Shqipërisë ka arritur sot suksese që dukeshin dikur të pamundura.

“Që nga Presidenca e OSBE e deri tek mandati në Këshillin e Sigurimit, ku performanca e Shqipërisë ka qenë vërtet e suksesshme, jam e sigurt që këto janë momente për të cilat do të flitet gjatë në këtë ministri e mes të gjithë kolegëve që do t’i bashkohen shërbimit në vitet që do të vijnë”-tha ministrja,

Zonja Xhaçka theksoi se kjo performancë nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ne nuk arrihet të afrohen në diplomaci individët më të mirë dhe nëse nuk rikthehet në shërbim sa më i plotë parimi i meritokracisë.

Ajo shtoi se beson fort te potenciali që i sjellin të rinjtë ministrisë së Jashtme dhe se duke krijuar sa më shumë hapësira për ta, është duke u garantuar e ardhmja e Shërbimit të Jashtëm edhe për vitet që do të vijnë.

“ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj që nëse punoni fort do të keni tek unë një mbështetëse shumë të fortë”, – tha zonja Xhaçka.