Xhaçka: Shqipëria do të angazhohet në KS të OKB-së për avancimin e çështjes së Kosovës

Tiranë, 1 janar 2022 – Shqipëria mori sot mandatin e saj dyvjeçar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një mesazh të publikuar me këtë rast, se kjo  është një arritje e madhe e Shqipërisë.

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë”, ka thënë ajo.

Xhaçka ka thënë se ky moment i shënuar, veç tjerash, është një mundësi për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ka thënë se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë mundësi për ta mbështetur procesin e njohjeve dhe të anëtarësimit të Kosovësnë organizata ndërkombëtare.

“… pa dyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë.

Mesazhi i plotë Xhaçkës:

Të dashur miq, vëllezër e motra shqiptarë kudo në rajon e botë,

Më lejoni t’ju uroj nga zemra një vit të mbarë për ju e familjet tuaja! Një 2022 ku me shpresë jeta do fillojë t’i rikthehet normalitetit pas 2 vitesh vërtet të vështira që na kanë testuar jo pak!

Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin.

Ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli. Një mandat në Këshillin e Sigurimit është diçka për të cilën vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada. Të cilin mund ta fitosh vetëm nëse arrin të bindësh pjesën dërrmuese të vendeve të botës që je shtet vend serioz, që ke një diplomaci profesioniste e të besueshme, që ke diçka me vlerë për të kontribuar në diskutimet e mëdha globale. Prandaj sot, duhet të ndihemi të gjithë krenarë për diplomacinë shqiptare e për atë që ka arritur. Duhet të jemi po ashtu krenarë për faktin që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur, me një politikë të qëndrueshme e të besueshme, një kontribues serioz në çështjet e sigurisë e paqes.

Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë.

Të dashur miq,

Shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet.

Unë besoj që kjo është prova më e mirë, që kur ne shqiptarët vendosim të punojmë, të gjithë së bashku, me durim, me përkushtim, për ne nuk ka asgjë të pamundur.

(r.m.)