Xhafaj kritikon qeverinë: Të ndalohet me ligj çdo prokurim publik pa garë, PPP, koncesion apo tender sekret

Në ditën e dytë të seancës maratonë të Kuvendit për pr/buxhetin 2022 dhe paketën fiskale, ish-ministri i Brendshëm, Fatmi Xhafaj shprehu shqetësimin lidhur me prokurimet publike.

Xhafaj deklaroi se duhet ndaluar me ligj çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurimin publik qofshin këto PPP, koncesione apo të ashtuquajturat prokurime sekrete.

Shqetësim pati dhe për informalitetin dhe klientelizimin.

Pjese nga fjala e Fatmir Xhafës në Kuvend 

Fatmir Xhafaj: Projektligji i buxhetit është kompetencë ekskluzive e qeverisë, ndër më kryesoret në funksionet e saj por vendimmarrja e Kuvendit duhet të jetë përcaktuese dhe gjithëpërfshirëse për shpalosjen e vizioneve qeverisëse dhe atyre opozitare për ardhmërinë e vendit dhe jo për shërrnajat e politikës së ditës, me përfshirjen aktive në seancat dëgjimore të grupeve të interesit, ekspertëve të fushës, shoqatave të bizneseve.

Të ardhurat e buxhetit janë para së gjithash produkt i taksave të qytetarëve dhe kontributi i biznesit të këtij vendi, konsultimi dhe transparenca me ta është domosdoshmëri.Ky proces vazhdon të konceptohet dhe ralizohet në një rreth të mbyllur, vendimmarrje të përqëndruar, shpesh pa një lloj konsultimi dhe transparence publike me grupet e interesit, shoqatat e biznesit dhe pa një përfshirje aktive të njerëzve të mençur të ekonomisë dhe financave në këtë vend.Ndaj ne sot nuk e kemi kulturën e taksave, kontrolli mbi dhënien e faturave konsiderohet punë e shtetit.

Për rrjedhojë, megjithëse kemi eksperimentuar pa fund sisteme dhe kasa fiskale përsëri informaliteti është shqetësues çka bën që sot të mbledhim të ardhura rreth 28% të PBB apo që është ende prezent përceptimi për masa klienteliste dhe favorizuese për biznese të caktuara në politika të veçanta fiskale.Transparenca, debati i shëndetëshëm dhe gjithëpërfshirës është rruga përt ti parandaluar dukuri të tilla.

Për të gjitha këto arsye lipset një qasje e re në gjithë këtë proces, veçanërisht këtu në Kuvend me ndryshimet në ligj dhe procedurat që mundësojnë hartimin,diskutimin, miratimin dhe monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit. Fokusi dhe shqetësimi kryesor i qerverisë dhe vetë Kuvendit duhet të mbetet nevoja e masave shumë më të forta për administrimin e të ardhurave, veçanërisht të procesit të prokurimit të fondeve buxhetore. Me ligj duhet ndaluar çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurimin publik qofshin këto PPP, koncesione apo të ashtuquajturat prokurime sekrete. Kjo kërkon ndryshime të forta në procesin e prokurimeve por sidomos procesin e kontrollit të tyre nga strukturat audituese dhe vetë KLSH.

Por edhe në hetimin administrativ dhe penal ndaj tyre. Ashtu si me të drejtë kërkohet ngritja dhe forcimi i kapaciteteve profesionale të strukturave që realizojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e PPP, koncesioneve dhe prokurimeve publike në vlera të mëdha duke riparë dhe statusin autonom të tyre nga institucionet prokuruese për të mbikqyrur me dorë të fortë kriteret dhe projektet konkuruese por edhe detyrimet përkatëse kontraktuale ligjore dhe financiare në interes të buxhetit të shtetit.

Çdo masë pozitive në këtë aspekt do të rriste ndjeshëm konkurencën në treg, do zvogëlonte mundësinë korruptive, do forconte instrumentat për të kursyer më shumë para në procesin e garave me fonde publike, do forconte transparencën në prokurime dhe kryesorja, besoj fort se do të siguronte më shumë cilësi dhe përgjegjshmëri në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Në vitin 2003 – 2005 Xhafaj ka pasur postin e Ministrit të Drejtësisë.