Xhika: Investime në Rrugën e Kombit, të Arbrit, në sinjalistikë dhe mirëmbajtje (zë)

Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara

Bisedoi: Denion Ndrenika

Qeveria e Shqipërisë ka një numër projektesh me rëndësi për të përmirësuar gjendjen në infrastrukturë. Këtu përfshihen përdorimi i fondeve të Buxhetit të Shtetit veçanërisht për përparësinë themelore të vendosjes së sinjalistikës për uljen e numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen. Mirëpo, një pjesë e madhe e rrugëve të Shqipërisë për shumë ditë u përfshinë në nivel rrezikshmërie nga moti i lig, me dëborë të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta që shkaktuan bllokime serioze këtë muaj janar. Veçanërisht shqetësime pati në Rrugën e Kombit, aksi kryesor që lidh një pjesë të rëndësishme të Shqipërisë Verilindore me Kosovën. Në këtë zonë ka pasur gjithashtu bllokime të vazhdueshme të rrugëve, përfshi rajonet kufitare me Kosovën, në veri me Malin e Zi, në lindje me shtetin maqedonas dhe në jug me Greqinë. Kjo ishte arsyeja se përse bisedën Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, gazeta “Illyria” e filloi me gjendjen e këtyre akseve që lidhin pjesët e Shqipërisë me kufirin dhe veçmas me Kosovën. Në tërësi drejtori Xhika paraqet plan-programet që ka qeveria për infrastrukturën dhe sidomos për sinjalistikën.


-Zoti drejtor, fillimisht faleminderit që gjetët kohë për të biseduar me gazetën “Illyria” në Shtetet e Bashkuara. Besoj se kemi shumëçka për të sqaruar mbi gjendjen e rrugëve në Shqipëri.

-Dashamir Xhika: “Faleminderit edhe ju për këtë mundësi! Sigurisht që tema e rrugëve kombëtare ka qenë në rend të ditës si pasojë edhe e rreshjeve të këtyre ditëve.
Temperaturat e ulëta kanë krijuar probleme në disa akse rrugore. Por, dua të theksoj që Autoriteti Rrugor Shqiptar është tërësisht i angazhuar për të përballuar situatën.
Aktualisht të gjitha akset kombëtare janë të zhbllokuara. Nuk ka asnjë rrezik në akset prioritare si Rruga e Kombit apo aksi i Qafë-Thanës ku qarkullimi bëhet pa përdorimin e zinxhirëve, me përjashtim të disa akseve në veri të vendit në qarkun e Dibrës dhe në qarkun e Kukësit, ku duhet patur kujdes dhe duhet aplikuar vendosja e zinxhirëve, sepse temperaturat e natës, krijojnë ngrica në rrugë”.

-Drejtor Xhika, më thoni ju lutem, në Rrugën e Kombit, cilat janë zonat më të rrezikshme, ose me më shumë prirje për të qenë të rrezikuara për shkak të ngricave, erërave që mund të ketë dhe veçanërisht me sektorin që merret me mirëmbajtjen. Natyrisht, që çështja e Tunelit të Kalimashit është me rëndësi.

-Dashamir Xhika: “E përmendët edhe ju. Është pikërisht zona te Tuneli i Kalimashit në hyrje dhe në dalje, që paraqet rrezikshmërinë më të madhe
Por, kompania e mirëmbajtjes ka treguar që me kapacitetete dhe eksperiencën e saj, ka treguar që me kapacitetet dhe eksperiencën e saj, të jetë në nivelin e duhur gjatë gjithë kësaj periudhe, duke e mbajtur në funksionim, të plotë këtë aks të rëndësishëm”.

-Në të gjitha pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën, ka probleme me akset dytësorë, pra ata që përgjithësisht mbeten pak jashtë vëmendjes së Autoritetit, por dhe në tërësi të autoriteteve vendore dhe kompanive të mirëmbajtjes.

-Dashamir Xhika: “Përsa i përket akseve të tjera që menaxhohen nga njesitë vendore, sigurisht që kapacitetet e tyre nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbajtur një funksionim të rregullt të këtyre akseve.
Por, gjithsesi ka patur ndërhyrje dhe pjesa më e madhe e problemeve kanë rezultuar e zgjidhur”.

-Keni bashkëpunim me autoritete e Kosovës për të mirëmbajtur ato zona ku ndoshta ne nuk e kemi këtë mundësi? Pra, për të pastruar rrugët apo për të vendosur sinjalistikën e duhur. Bëj fjalë vetëm për territorin kufitar.

-Dashamir Xhika: “Ka një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet kosovare! Kjo është e shtirë si nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, por edhe nga Policia Rrugore. Ka një bashkëpunim intensiv për t’ju shërbyer qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme”.

-Zoti drejtor, në çështjen e koncesionit të Rrugës së Kombit. Kemi ndonjë zhvillim deri tani për shkak të mundësisë që ajo të jepej pra me koncesion? Nuk e di. Pak rëndësi ka besoj, nëse është 1, 2, 3 apo 5 euro. Kemi ndonjë vendim qoftë të ministrisë, qoftë tuajin për të mundësuar dhënien me koncesion? Pra, a ka përfunduar studimi?

-Dashamir Xhika: “Sigurisht që po ndiqen procedurat e dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit.
Janë procedura që po i ndjek ministria e Transportit. Mendoj se shumë shpejt do të lidhet një marrëveshje koncesionare.
Por, nuk mendoj të jetë marrë ndonjë vendim definitiv përsa i përket tarifës që do të paguhet për kalimin në këtë aks rrugor”.

-Meqënëse ka përfunduar shpimi i tunelit në Rrugën e Arbrit, derisa do të mundësojë kjo shkurtimin e largësisë me Shkupin apo me territoret e shqiptarëve në shtetin maqedonas, përfshi edhe shqiptarët që vijnë nga Kosova, për të shmangur zonat e thella malore të Sharrit?

-Dashamir Xhika: “Rruga e Arbrit është një tjetër prioritet shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare.
Ju ditët e fundit keni marrë shumë informacion në lidhje me takimet që janë bërë në Beograd për dhënien me koncesion të Rrugës së Arbrit.
Kanë qenë bisedime me një kompani kineze dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim të marrë rrugë.
Ndërsa, janë dy lote të tjera që janë drejt përfundimit. Në 30 dhjetor 2014 është bërë edhe hapja e tunelit prej 640 metrash nga një kompani shqiptare, gjë e cila e çon drejt përfundimit këtë lot të rëndësishëm të këtij aksi.
Me përfundimin e Rrugës së Arbrit (pasi kemi ende punë për të bërë e do të shihet kontrata koncesionare), pra përfundimi i të gjithë rrugës, sjell një benefit shumë të madh për të gjithë qytetarët që përshkojnë rrugën drejt Maqedonisë.
Koha shkurtohet diku te një orë e gjysëm, dy orë me futjen në funksion të aksit, pra të gjurmës së re të Rrugës së Arbrit”.

-Cilët janë akste rrugorë që po financohen më shumë nga qeveria?

-Dashamir Xhika: “Akset prioritare janë ato akse që shtrihen në arterie kryesore të rrugëve kombëtare.
Pra, që ne i kemi prioritete për t’i përfudnuar gjatë këtij viti, siç është aksi Plepa-Rrogozhinë, Lushnjë-Berat, Lin-Pogradec, rrugët e Bregut, rruga e Valbonës.
Pra janë ato akse që kanë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe një impakt të rëndësishëm në aspektin turistik të vendit”.

-Përveç fondeve që ka ndarë Buxheti i Shtetit për infrastrukturën, kemi ndonjë ndryshim, ndonjë shtesë në shumën e përgjithshme? Sa kap totali?

-Dashamir Xhika: “Totali i buxhetit për vitin 2015 është 92 miliardë lekë (të vjetra). E përkthyer në dollarë do të thotë diku te 92 milionë dollartë. Ky është buxheti që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka për investimet publike gjatë vitit 2015”.

– Një numër i madh aksidentesh, pavarësisht se ato janë ulur me rreth 20 përqind krahasuar me më parë, shkaktohen nga mungesa e sinjalistikës dhe nga punimet në rrugë. Çfarë po bëni që të shmangen? Kemi patur 4 ose 5 raste brenda 15 ditëve të para të muajit janar me humbje jete.

-Dashamir Xhika: “Është shumë e vërtetë që është një situatë alarmante për sai i përket aksidenteve.
Siguria rrugore ka qenë një sfidë do të thoja dhe prioriteti kryesor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, gjë të cilën ne e kemi zbatuar edhe në terren.
Gjatë vitit 2014 kemi bërë edhe implementimin e një projekti shumë të rëndësishëm të sinjalistikës rrugore, projektin e rrugës Rrogozhinë-Butrint. Kjo për fatin e mirë ka dhënë edhe frytet e tij, pasi gjatë muajve të fundit në këtë aks rrugor nuk kemi pasur asnjë aksident me pasojë vdekjen.
Duke ulur edhe numrin total të aksidenteve, e kemi ulur me rreth 20 për qind më shumë, duke mbrojtur 20 jetë njerëzish.
Edhe gjatë vitit 2015 do të jetë një sfidë e madhe siguria rrugore ku ne do të vazhdojmë me implementimin e dy projekteve të rëndësishëm.
Këta janë dy dy projektet e rrugës nga Rrogozhina drejt Kapshticës (kufiri me Greqinë nga Korça në juglindje. v.j.) dhe nga Shkodër-Hani i Hotit (në veri me Malin e Zi. v.j.).
Kemi dyfishuar fondet për sinjalistikën rrugore dhe mendoj që gjatë këtij viti do të ketë një përmirësim të jashtëzakonshëm të të gjitha akseve kombëtare”.

-Keni mbikqyrje të plotë të punimeve në të gjitha rrugët?

-Dashamir Xhika: “Sigurisht që ne kemi theksuar me forcë që të gjithë kontraktorët qoftë të mirëmbajtjes, qoftë të atyre që kryejnë punimet në kantieret e tyre, duhet të marrin masa urgjente dhe masa ekstreme përsa i përket garantimit të kantierit dhe vendosjes së sinjalistikës provizore.
Këtë e kemi theksuar me forcë jo vetëm nëpërmjet shkresave, por edhe nëpërmjet inspektimeve që kemi bërë nëpër kantiere ku ka qenë prezenet edhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës.
Ka qenë një ndër kërkesat tona kryesore, respektimi i kontratave, i kushteve kontraktuale, i ligjeve për vendosjen e sinjalistikës provizore dhe për të gjithë menaxhimin e punës në kantiere”.

-Nëse ka pasur shkelje të procedurave, shkelje të mungesës së sinjalistikës nga kompanitë punuese, keni propozuar apo çfarë parashikoni të propozoni deri në heqjen e licencës për koncesionet? Ka raste të tilla të evidentuara prej jush?

-Dashamir Xhika: “Atje ku janë verifikuar mungesa, kemi proceduar edhe me pezullim apo ndërprerje të kontratës siç ka qenë rasti i një kompanie të mirëmbajtjes në aksin e Qafë-Thanës dhe njëkohësisht masat e marra penalizuese për të gjithë kontraktorët që kanë patur mungesa ose nuk kanë qenë në nivelin e duhur për të shërbyer ashtu siç është përcaktuar në kontratat që ata kanë nënshkruar”.

-Faleminderit!

-Dashamir Xhika: “Gjithashtu”!