Xhudistët e Kosovës optimistë para Lojërave Olimpike të Tokios

Prishtinë, 10 maj 2021 – Në Kosovë, ekipi i xhudos është duke kryer përgatitjet për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2021”. Muajin e kaluar ky ekip fitoi vendin e parë në dy kategori gjatë Kampionatit Evropian të Xhudos, që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.

Në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, ekipi i xhudos “Ippon” po kryen përgatitjet për lojërat olimpike Tokio 2021, që pritet të hapen në muajin korrik të këtij viti.

“I kemi pesë garues të kualifikuar, ka mundësi edhe një garuese që të marrë normën olimpike në garën e fundit që mbahet në qershor. Prej këtyre të pestëve presim që dikush nga lojërat olimpike të kthehet me medalje”, thotë Driton Kuka, trajner i ekipit.

Kosova mori pjesë për herë të parë në lojërat olimpike ‘RIO 2016’ me tetë sportistë, në të cilat xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë dhe të vetme olimpike të vendit.

Trajneri i ekipit të xhudos, Driton Kuka tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se me investim më serioz nga shteti dhe me punë të madhe të trajnerëve dhe sportistëve, Kosova mund të dëshmojë sukses të ngjashëm edhe në sporte të tjera.

“Fillimisht do të duhej ndoshta që të investohet në trajnerë në mënyrë që ata të kapin trendin me trajnerët më të mirë evropianë e botërorë e mandej ata përvojat e tyre t’i sjellin në Kosovë ashtu që të ngriten edhe sportet tjera. Unë mendoj se në Kosovë është krijuar një keqkuptim sepse po pretendohet që vetëm talenti është komponentë që sjellë suksese kulminante. Unë nuk pajtohem me këtë, përveç talentit duhet punuar shumë profesionalisht që të arrihet atje ku kemi arritur ne me sportin e xhudos”, thotë ai.

Gjatë muajit prill të këtij viti, dy xhudistë të këtij klubi, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova fituan medalje të arta në Kampionatin Evropian, ndërsa xhudistja tjetër Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë. Këto rezultate vendosën Kosovën në vend të parë, para shteteve si Turqia, Franca, Gjeorgjia dhe Holanda.

“Ka qenë një përvojë shumë e mirë, ndër eksperiencat e mia më të mira që i kam në karrierën time. Është hera e parë që marr medaljen e artë, kam pasur të bronztë dhe të argjendtë përpara. Pra një përvojë shumë e mirë dhe një motiv i madh të punojë më shumë”, thotë xhudistja, Distria Krasniqi.

“Në përgjithësi ka qenë një përvojë e mirë dhe e veçantë, kam arritur të bëhem kampion i Evropës. Për shumë vite me radhë jam duke marrë pjesë në Kampionatin Evropian dhe më fund fitova medaljen e artë. Po mendoj që mundi dhe sakrifica që e kam bërë deri tash janë shpërblyer në formën më të mirë”, thotë xhudisti, Akil Gjakova.

Trajneri Kuka tha se rezultatet e fundit në Evropian janë të rëndësishme jo vetëm për sportin por edhe imazhin e Kosovës në përgjithësi.

“Marrë parasysh që ne si xhudo jemi komunitet i vogël në Kosovë, duke u krahasuar me shtete të fuqishme siç është Franca ta zëmë që ka rreth 600 mijë xhudistë të regjistruar, ne i kemi diku rreth 2 mijë apo 2 mijë e 500, nëse e shohim pra në këtë kontekst me të vërtetë është rezultat i jashtëzakonshëm. Marrë parasysh edhe investimet që bëhen në shtete serioze. Me të vërtetë është rezultat i mrekullueshëm edhe për sportin edhe për ngritjen e imazhit të Kosovës sepse shumë shtete dëshirojnë që Kosovën ta shohin në kontekst negativ por kjo nuk qëndron sepse po shihet qe me një grusht sportistë po arrijmë të mposhtim shumicën e shteteve në Evropë”, thotë zoti Kuka.

Krahas përgatitjeve për Lojërat Olimpike Tokio 2021, zoti Kuka tha se është duke u përgatitur edhe një gjeneratë e re e xhudistëve me synim ciklin e ardhshëm olimpik të Parisit.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)

Comment

*