“Yjet nuk janë të kuq”

28-1 Kopertine V3(1)Një roman i jashtëzakonshëm i shkrimtares shqiptaro-amerikane Albana Mëlyshi Lifschin

 

Nga Mëhill Tanushi

 

Pas një përvoje të gjatë në gazetari dhe të një paraqitjeje dinjitoze dhe të suksesshme në letërsi, si poete dhe shkrimtare, me disa vepra të publikuara më parë, Albana Melyshi vjen me botimin e saj më të ri, “Yjet nuk janë të kuq”. E kam quajtur një vlerësim dhe nder të madh faktin, që pa pasur ndonjë njohje të afërt personale me të, Albana më besoj leximin që në dorëshkrim të këtij libri, që unë do ta përcaktoja si një roman historik të jashtëzakonshëm.

Them se duhet vlerësuar si roman, (pavarësisht rregullave përcaktuese të gjinive letrare), sepse densiteti dhe dramaciteti i ngjarjeve dhe personazheve, ngjyrimi dhe përshkrimi artistik i tyre, ritmi me të cilin zhvillohen situatat, e kalojnë cakun e rrëfimit të thjeshtë kronologjik e historik, pavarësisht se gjithçka është treguar me vërtetësi dhe asgjë nuk është e trilluar.

Po kështu mendoj se është i jashtëzakonshëm, sepse, vetë subjekti është i jashtëzakonshëm: Një familje e ndarë më dysh nga politika, që u mbijetoi sfidave të kohës si një e tërë. Një familje me dy partizanë në luftë që u digjet shtëpia dhe internohen po nga partizanët. Një baba i arratisur, i cilësuar tradhtar dhe i vendosur kundër të birit hero. Një nënë që kalon 12 vjet në internim me tre fëmijët e saj të vegjël, me bashkëshortin dhe një djalë të arratisur që s’do ti shihte kurrë më për të gjallë, e cila thirret nga ferri për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes Hero të Popullit të të birit idealist të vrarë 7 vjet më parë. Një Derë e Parë dhe e respektuar në një krahinë të rëndësishme të Mirditës që jo vetëm i’u ndalua të priste e përcillte me bujari miq e shokë, që i’u ndaluan mortet e dasmat me të tjerët, që i’u ndalua pjesëmarrja në mbledhjet e popullit, por mbi të gjitha i’u ndalua edhe komunikimi me pjesën tjetër të familjes në Tiranë.

Rrallë ndodh që një libër të lexohet me një frymë, siç ndodh me “Yjet nuk janë të kuq”. Kjo sepse, nga njëra anë autorja ka arritur të na e shfaqë dramën e familjes Melyshi, me forcën, peshën, dhimbjen dhe dimensionet e legjendës, dhe nga ana tjetër, skenat që përshkruajnë ngjarjet e kësaj drame, thurren thjeshtë, bukur dhe me ngjyra të jashtëzakonshme emocionale. Personazhet, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë edhe sot, lëvizin me lirshmëri brenda vorbullës së jetës ku i ka hedhur fati i imponuar. Merita e Albanës është se duke u vendosur pa u ndjerë në qendër të romanit dhe duke i treguar ngjarjet herë-herë në vetën e parë, e rrëfen dramën e familjes gjakftohtë dhe me vërtetësi historike, pa u pozicionuar emocionalisht, duke shmangur mllefet, gjykimet, fajehedhjet. Si një xhongler profesionist që ecën mbi tel, autorja ka arritur të ecë e sigurtë nëpër tehun e hollë të briskut që ndante të dy gjysmat e familjes. Ndoshta Albanën e ka ndihmuar edhe fakti që këto 20 vjetët e fundit ajo ka jetuar jashtë vendit, larg meskiniteteve, hatërmbetjeve, dritëshkurtësisë inatçore, në një vend ku gjerat shihen me ngjyrat që kanë, ku të zezës i thonë e zezë dhe të bardhës e bardhë. Por, gjithashtu mendoj, se për këtë e kanë ndihmuar edhe vetë personazhet që në rrëfimet e tyre nuk janë aspak hakmarrës, mëllefçarë, përkundrazi janë shumë dinjitozë dhe njerëzorë. Nuk është se Albana i ka skalitur për të na i paraqitur të tillë këto personazhe. Në asnjë mënyrë. Ajo thjeshtë ka mbajtur shënim kronikën e ngjarjeve të familjes për të na e dhënë me vërtetësi ashtu siç ka ndodhur.

Duke shfletuar librin bie në sy sjellja dinjitoze e gjyshit të Albanës, një rast i rrallë, ndoshta i vetmi rast, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban mbi supe titullin bajraktar, dhe është njëherazi i cilësuar edhe “Armik i Popullit” edhe babai i “Heroit të Popullit”. Në prag të vdekjes, pasi ka kaluar gjithë jetën larg familjes, bashkëshortes dhe fëmijëve, ai vendos të vijë për t’u prehur përgjithmonë në tokën e tij. Çuditërisht i jepet një vizë hyrje, por brenda pak ditësh në derë i mbërrijnë autoritetet shtetërore të kohës që i thonë se me të është bërë një gabim i madh dhe se të nesërmen ai duhet të kthehej nga kishte ardhur. Plaku nuk proteston para oficerëve, jo se nuk kishte të drejtë, jo se nuk kishte kurajo e guxim, porse është mësuar dhe është në dinjitetin e tij t’i vlerësojë gjërat me një gjykim largpamës. Ai e din se ata thjeshtë po i kumtonin një urdhër të ardhur nga lart, dhe kësisoj, në mos ata, dikush tjetër do ta bënte, kështu që i konsideron thjeshtë njerëz që po kryenin një punë të ngarkuar. Ai u thotë vetëm kaq: “Ani, ani, gabime bahen”! E pra ai nuk kishte ardhur as të merrej me politikë dhe as të përmbyste pushtetin, megjithëse ka qenë gjithë jetën kundër ideve të regjimit që i ndanë e i përçanë njerëzit. Si një oficer i shkolluar, gjithashtu ai ka objeksionet e tij për shpalljen e përcaktimin e një njeriu “Hero”, kur në shënimet e tij në mërgim shkruan: …“ Titulli ‘hero’ nuk mund t’i jepet atij që ka dhanë  jetën për një ide të një partie politike, por njat herë kur ka dhanë jetën për të mirën e mbarë kombit e të shoqërisë pa dallim”… E pra këtij njeriu që kishte ardhur thjeshtë për dy metra varr në tokën e tij, i’u refuzua kjo e drejtë.  Ndërsa duke u larguar, familjarëve u thotë se nuk do jetë e largët dita kur ky regjim do të bjerë dhe familja e tij e madhe do të bashkohet përsëri. Dhe profecia e tij u realizua vetëm dy vjet më vonë.

Ose le të kujtojmë këtu shprehjen dinjitoze të gjyshes së Albanës kur e marrin nga kampi i internimit ku kishte vuajtur 12 vjet si “nënë tradhtari” dhe e sjellin në zyrat më të larta të shtetit për ta ngritur në piedestalin e nënës së Heroit dhe kur zyrtari me pozitë e shumë grada i thotë kërko çfarë të duash, ajo i përgjigjet: “Më jepni triskën e frontit”. Ajo vinte nga birucat e internimit por nuk kërkoi shtëpi të madhe dhe me dritë, vinte nga ushqimi me racion, por nuk kërkoi të ardhura për të jetuar. Kërkoi atë që i kishte munguar dhe që e kishte munduar më shumë: ndarja për së gjalli nga njerëzit. I dhanë triskën e frontit, por nuk i dhanë të drejtën për tu bashkuar me pjesën tjetër të familjes në Mirditë që vazhdonte  të ishte  “e prekur”.

E njëjta gjë vërehet edhe tek një personazh tjetër interesant, Zina, një grua njerëzore dhe fisnike me vështrim nga e ardhmja, që të kaluarën e saj të zymtë e plot vuajtje e përdor si portfolio, ose thënë më thjeshtë si një arkiv ku herë pas here qëmton për të nxjerrë prej andej referenca që do ta ndihmojnë për të ndërtuar më mirë raportet me njerëzit e për të parë më qartë përpara. Ajo është e ndërgjegjshme se e keqja dhe kufizimet për të jetuar normalisht jetën nuk i kanë ardhur nga njerëzit që e rrethojnë, përkundrazi ata shpesh e kanë trajtuar mirë. Fati i saj dhe i familjes së saj ishte vendosur lart dhe nuk kishte të bënte me këta njerëz të thjeshtë që jetonin edhe ata me kufizimet që u sillte sistemi. Ndaj me një qetësi e zemërmadhësi për t’u admiruar e pret edhe vendimin e përjashtimit nga shkolla ku e kishin dërguar “gabimisht”, por edhe takimin më në fund me pjesën tjetër të familjes. “Ne veç mallit s’kemi pas gja tjetër për njani-tjetrin, por na kishte nda politika”… shpjegon ndarjen e gjatë Zina.

Ndaj e konsideroj me vlerë shumë të madhe tendencën e mirëkuptimit dhe të shikimit përpara që shpalos Albana në këtë vepër. Historia e familjes Melyshi, treguar me mjeshtri artistike, është sa unike aq edhe përgjithësuese. Të gjitha familjet mirditore e më gjerë shqiptare, diku më pak e diku më shumë e kanë nga një detaj apo fragment të “Sagës së Melyshajve”. Ndaj mesazhet që përcjell ky libër kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për brezin e sotëm, por edhe për brezat që vijnë. Ato janë mesazhe paqeje dhe reflektimi.

Krahas vlerave artistike dhe letrare, libri “Yjet nuk janë të kuq”, është gjithashtu një kontribut historik jo vetëm se sjell shumë fakte të reja nga një periudhë e rëndësishme e historisë së Mirditës, por njëherazi hedh dritë edhe mbi disa ngjarje të njohura që janë parë nga këndvështrime të reja. Dëshmitë e të fejuarës së Pal Melyshit për lidhjen dhe ndarjen e tyre, të gjyshes për djegien e kullës dhe jetën në internim, të gjyshit për arratisjen nga atdheu, të dajës për jehonën e këtyre ngjarjeve jashtë, vështrimet mbi “Toger Babën” dhe “Nusen e vdekur mbi kalë”, pastaj tre varrosjet dhe zhvarrosjet e eshtrave të Pal Melyshit, e plot fakte të tjera, janë një pasuri me interes për historianët.

Duke ruajtur të pa prekur autenticitetin e pjesëve rrëfimtare historike, me aftësinë e një shkrimtareje profesioniste, Albana përshkruan bukur e me mjeshtri artistike ecejaket e saj nëpër ngjarje e situata, që nga periudha si gazetare e televizionit në Tiranë, ku rrethohej jo vetëm nga kolegë dashamirës por edhe nga “Uriah-ët” që thurin prapaskena, e deri tek jeta e re në Nju Jork, ku i qëndroi pranë gjyshit në ditët e fundit të jetës dhe më pas. Nuk i’a vlen ta vrasësh mendjen tani, nëse qe një rastësi e vogël apo një shaka e madhe e jetës, fakti që Albana, mbesa e Pal Melyshit, do takohej dhe do ta ndihmonte, pa e ditur ai, nipin e Preng Dodë Gjinit, në Amerikë. Ai kërkonte azil politik duke i tundur avokatit amerikan një kasetë  me filmin “Operacioni Zjarri”. Me këtë pasazh që përfundon me një pyetje retorike, Albana mbyll librin e saj: …”Ai ishte një emigrant dhe unë isha aty për ta ndihmuar, siç kisha ndihmuar mjaft të tjerë. A do të kishin qenë në gjendje gjyshërit ta parashikonin këtë? M’u duk bota shumë e vogël dhe jeta një shaka e madhe. Ç’qe ajo luftë e mallkuar klasash që na kishte futur kaq keq në vorbullën e saj e na vërtiste si të donte të na hidhte në çdo moment në humnerë?”…

Vërtetë, ç’qe ajo luftë e mallkuar klasash që i vuri njerëzit kundër njerëzve, prindin kundër fëmijës, njërën gjysmë kundër gjysmës tjetër? Pyetja mbetet retorike, jo vetëm se në një farë mënyre e tillë është,  por Albana me veprën “Yjet nuk janë të kuq”, nuk e ka si qëllim më vete këtë përgjigje. Ajo shpalos e tregon bukur faktet, konkluzionet i nxjerr vetë lexuesi.

Comment

*