Yuri Kim: Nuk është e përshtatshme që drejtuesit politikë të thonë se drejtësia shërbehet vetëm kur tjetri përfundon në burg

Tiranë, 9 maj 2022 – Ambasadorja amerikane në Tiranë deklaroi këtë të hënë se është koha që reforma në drejtësi të zbatohet dhe të mos vazhdohet me drejtësinë e të shkuarës.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën me temë “Drejtësi në kohë sfidash”, ambasadorja Kim theksoi se nuk është e e përshtatshme që drejtuesit politikë, në pushtet ose jo, të shprehen se drejtësia shërbehet vetëm kur në burg përfundon kundërshtari dhe jo kur përfundon në burg “ana ime”.

“Të mos mendojmë që është e përshtatshme që drejtuesit politikë, në pushtet ose jo, të thonë se drejtësia shërbehet vetëm kur tjetri përfundon në burg dhe drejtësia nuk funksionon kur ana ime përfundon në burg. Ta zbatojmë reformën në drejtësi. Ne nuk duhet të vazhdojmë me drejtësinë e të shkuarës. Drejtësia e cila duhet të ndërtohet në Shqipëri duhet të jetë drejtësi me standardet e Evropës Perëndimore. Kërkesat e BE-së janë të qarta. Mendoj që veprimet e SHBA-ve gjatë 30-viteve të fundit e bëjnë të qartë se mbështetja për shtetin ligjor në Shqipëri janë më të forta se kurrë. Po aq të qarta janë dhe prirjet e njerëzve”, tha ambasadorja Kim.

Ambasadorja amerikane nxiti prokurorët e drejtësisë së re të veprojnë dhe të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar për “drejtësi të verbër dhe të drejtë”.

“Ju nxis të veproni. Është koha që të ecim përpara. Është koha të krijojmë një drejtësi,e cila është e verbër dhe e drejtë”, theksoi ambasadorja amerikane në Shqipëri”, citon Panorama.

Në njëfarë mënyre, kjo deklaratë e saj ta të bëjë me akuzat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Dy ditë më parë, Rama e akuzoi ashpër SPAK-un për shkak se nuk ka ndërmarrë asgjë kundër ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidentit të shtetit, Ilir Meta.

Opozita e kundërpërgjigj duke thënë se me këtë deklaratë Rama i përcolli mesazh paralajmërues SPAK-ut që të mos e prek atë dhe rrethin e tij të ngushtë.

(r.m.)