Z. Rama, hiqni dorë nga “Open Balkan”!

Emin AZEMI

A besoni ju z. Rama se OPEN BALKAN do të duhej të jetë arsyeja kryesore për t’u besuar kaq shumë serbëve, në kohën kur këta të fundit Kosovën ende e shohin në dylbitë e kullave ushtarke të vrojtimit? Asgjë nuk ka ndryshuar në shoqërinë serbe, z. Rama, për t’u ndjerë kaq komod me Vuçiqin, kur ai llogarit në mbështetjen tuaj për një projekt që është ose zëvendësim i Procesit të Berlinit ose zgjatim i fshehur i një  nisme tjetër Euro-Aziatike, ku Rusia e ka fjalën kryesore.

 

 

Raportet e mira ose të këqia me Serbinë, z. Rama, testohen në Kosovë. Nesër mund të mos jetë Vuçiqi kryetar i Serbisë, por në Tiranë duhet të mbetet i pandryshuar percptimi politik e kombëtar se pa tejkalimin e problemeve Kosovë-Serbi nuk mund të ketë edhe raporte normale Shqipëri-Serbi.

Gjithsesi Shqipërisë i nevoten marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë dhe gjithë fqinjët e saj, por kjo është e mundur vetëm atëherë kur miku juaj Vuçiqi, z. Rama, dhe aparati i tij shtetëror, lirohen nga fantazma mbi “Kosovën djep i Serbisë”. Ju, z. Rama, keni bërë shumë mirë që nuk keni rënë në grackat që prodhon kjo fantazmë dhe ta shpallni Kosovën pjesë të projektit “Shqipëria e Madhe”, sepse ju jeni më i zgjuar se Vuçiqi. Por, nuk e kemi të qartë  pse i jepni atij aq shumë peshë në jetën tuaj të çmuar, pasi që ëndrra juaj për një Shqipëri evropiane shkon përtej perdeve mesjetare të Vuçiqit, i cili ende mundohet ta mbajë Kosovën dhunshëm brenda teatrit të tij të abusrdit.

Politika zyrtare e Tiranës kundrejt Serbisë i ka edhe specifikat e saj dhe do të ishte e padrejtë mos ta kuptojmë në parim pozicionin e saj të palakmueshëm për shkak të faktorit Kosovë, por ama duhet të flaket një herë e përgjithmonë bindja e gabuar se përmes një Kosove të nënshtruar mund të projektohen politika dinjitoze kundrejt Beogradit. Sepse çdo distancë në mes Tiranës dhe Beogradit kalon nëpër radarët e Kosovës.

Në mendësinë akademike, kishtare e politike serbe, z. Rama, çështja e Kosovës është ende e hapur dhe të gjithë ata që tentojnë ta mbyllin atë konsiderohen si armiq të kauzës serbe.

Pra, nëse Kosova qenka një çështje e hapur në mendësinë nacionaliste serbe, atëherë ju ende nuk keni dhënë një përgjigje inteligjente se si projekti i juaj  OPEN BALLKAN mund ta tejkalojë jazin e thellë brenda shoqërisë serbe sa i përket Kosovës. Ende, ju, z. Rama, nuk na keni dhënë një përgjigje inteligjente se si miku juaj Vuçiqi do të arrijë t’i bindë akademikët, priftërinjë, gazetarët dhe ushtarakët serbë se Kosova tash e tutje do të trajtohet dinjitetshëm në kuadër të projektit tuaj OPEN BALKAN.

A besoni ju, z. Rama, se OPEN BALKAN duhet të jetë arsye për t’u besuar kaq shumë serbëve, në kohën kur këta të fundit Kosovën ende e shohin në dylbitë e kullave ushtarke të vrojtimit. Asgjë pozitive nuk ka ndryshuar në shoqërinë serbe, z. Rama, për t’u ndjerë kaq komod me Vuçiqin, kur ai llogarit në mbështetjen tuaj për një projekt që është ose zëvendësim i Procesit të Berlinit ose zgjatim i fshehur i një  nisme tjetër Euro-Aziatike, ku Rusia e ka fjalën kryesore.

 

Opinioni publik në Kosovë, ku bëj pjesë edhe unë, z. Rama, kemi frikë se sinqeritetin tuaj prej politikani mendjehapur mund ta keqpërdorin projektuesit e Balkanit të Hapur, të cilët nuk po bëjnë asgjë pos që po kërkojnë aleatë për t’iu bashkangjitur idesë së vjetër “Ballkani ballkanasve”, që e ka burimin në jehonën e krismave të Sarajevës, ku falanga antievropiane serbe e vrau Princin Ferdinand të Austro-hungarisë.

Si artist, me shije fine dhe me talentin e rrallë të oratorisë së trashëguar nga shkolla e Nolit dhe Konicës, nuk besojmë se ju, z. Rama, do të donit idetë tuaja politike t’i shartoni në një projekt që i ka rrënjët qysh në tymnajen serbe të hallakamve ballkanike ku luftërat u nisën jo për më shumë altruizëm njerëzor, por për më shumë burgje për popujt josllavë.

 Mirosllav Kërlezha, një shkrimtar i shquar kroat, asnjëherë nuk e imagjinote Ballkanin si një mejhane ku temjani mesjetar serb do ta dominonte frymën e bashkëjetesës midis popujve, prandaj nuk besojmë se ju jeni aq naiv sa të mos e dini se serbët asnjëherë nuk të ftojnë të merrni pjesë në ndonjë projekt ku nuk do të përllogriteshin në detaje efektet e ftohjes së raporteve mes Shqipërisë e Kosovës.

Ne i njohim më mirë se ju serbët, z. Rama, andaj mos u mundoni të na bindni se sa engjëllorë janë ata, për arsye se politika e Vuçiqit e ka mbytyr në palcë frymën solidare të shoqërisë serbe dhe tash neve nuk na mbetet asgjë tjetër pos të ujisim pemët e iluzioneve me ujin e destiluar që vjen nga kanalet e mendimit të pavarur serb, ku dora e Vuçiqit ende nuk po arrin të turbullojë mendjet e ndritura të Latinka Peroviqit, Sonja Biserkos, Natash Kandiqit, Çedomir Petroviqit, etj. Me që ra fjala, pse, z. Rama, nuk po i angazhoni bashkëmendimtarët tuaj në jetën publike të Shqipërisë që t’i ftoni në Tiranë këta opozitarë të mendimit ant-iVuçiq, sepse vetëm ata dinë ta zbërthejnë djallëzinë politike të Beogradit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Kur t’i dëgjoni argumentet e tyre, do të bindeni, z. Rama, se ideja e “Ballkanit të hapur” (apo mini-Schengeni ballkanik), siç e tha Sonja Biserko, nuk është e konkretizuar dhe i shërben Aleksandar Vuçiqit si mbulesë, sepse ai, me sa duket, ndodhet në situatë të pakëndshme.

Gjermania, sipas Biserkos, nuk e përkrah idenë e Schengenit ballkanik, sepse është iniciuar pa u konsultuar me Berlinin dhe me Brukselin. Gjermania e përkrah bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Biserko tha gjithashtu se Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja janë të vetëdijshme se “Ballkani i hapur” është version i ri i “botës serbe”, gjë që, sipas saj, në thelb më së shumti i konvenon Serbisë, e cila do ta rrumbullakësonte kështu hapësirën ekonomike.

Sonja Biserko, z. Rama, nuk i takon ushtrisë digjitale, siç nuk i takoj as unë, prandaj bëhuni më korrekt me kritikuesit tuaj. Ju nuk keni nevojë ta imitoni Vuçiqin në betejat e tij absurde me jobashkëmendimtarët në media dhe në universitete, sepse ju  i keni disa avantazhe intelektuale e qytetare që ju bëjnë të ndryshëm nga Vuçiqi.

Ajo çka ju bën të ndryshëm nga Vuçiqi, z. Rama, është edhe guximi juaj politik e intelektual për t’u shprehur hapur për çështje që ju i konsideroni të drejta, por Kosova dhe ne që kemi një mendim ndryshe për projektin Ballkani i Hapur nuk do të donim që nipat dhe mbesat tona nesër të lexojnë në kujtimet tuaja se si Vuçiqi ua kishte punuar prapa shpinës për t’ju përfshirë në një projekt që, sipas Sonja Biserkos është version i ri i “botës serbe”.

  1. Rama, ende keni kohë të mos gaboni në arkivimin e kujtesës, sidomos në ato skeda ku mund të futet pahetueshëm krimbi i mossinqeritetit në raport me Kosovën, e cila, megjithatë, nuk është një “shtet i largët” prapa Bjeshkëve të Nemura, por një peng i ëndrrva tona të përbashkëta që mbetën nën hijen e proceseve euro-integruese, ku Kosova, edhe me ndihmën tuaj, mund t’i tejkalojë më lehtë sfidat e këtij procesi, duke filluar që nga lëvizja pa viza e deri te anëtarësimi në BE.

Albin Kurtin mund ta përceptoni edhe si kundërshtar të ideve e projekteve, z. Rama, por Kosova i tejkalon kornizat e ngushta të manovrave politike që ju politikanët dini t’i bëni nganjeherë. Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar nëpër një proces shumë të gjatë të ngjizjes së ideve përbashkuese, andaj na duket absurd, z. Rama, që ju dhe Albin Kurti të mos gjeni forcën e duhur njerëzore e politike për të bërë çfarë pret çdo shqiptar i sinqertë: projektet dhe nismat rajonale të mos lansohen në publik para se të bëhet një kuvendim brenda kombëtar i politikanëve shqiptarë. Si do të ndjeheshit, z. Rama, po qe se  ndonjë politikan nga Prishtina, pa ju konsultuar fare juve, do të merrte pjesë në ndonjë  nismë rajonale, bie fjala, të Detit Jon, në të cilën do të integroheshin pjesë të caktuara të Jugut të Shqipërisë dhe ju të informoheshit përmes televizorit. Çka do të thoshit, si do të silleshit dhe si do ta përjetonit përqafimin e një udhëheqësi të Kosovës me ndonjë politikan të rëndësishëm të Greqisë. A do t’i merrnit si të mirëqena pikëpamjet e udhëheqësit nga Kosova, i cili do t’i kualifikonte si “ushtri digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit” ose “luli” i kinse patriotizmit digjital” kritikuesit e një nisme të tillë?

Debati mbi çështjet tona të përbashkëta nuk përfundon këtu, z. Rama, por do të duhej të mbyllte një sherr, viktimë e tëcilit po bëhemi ne pahetueshëm, duke ia bërë një argat të mirë Vuçiqit, i cili po e përgatit strategjinë e vjetër sllave për përçarjen e shqiptarëve, e cila do të fillojë me disa konflikte sporadike të serbëve dhe kosovarëve përgjatë brigjeve shqiptare të Adriatiukut dhe do të përfundojë me blerjen masovike të pronave bregdetare, ku nuk do të kursehen as paratë ruse.

Për të mos ardhur deri te kjo, atëherë z. Rama, hiqni dorë nga projekti OPEN BALLKAN!