Zaev e Kurti: Kemi opinione të ndryshme për “Open Balkan”, por kjo s’na pengon të bashkëpunojmë

Shkup, 16 shtator 2021 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se ai dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk kanë opinion të njëjtë për nismën rajonale  “Open Balkan”. Por, kjo nuk e pengon bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Zaev, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të të dy vendeve, në Shkup, ka thënë se Kosova është e pavarur dhe ka të drejtë të marrë vendime në mënyrë të pavarur.

“Sa i përket ‘Open Balkan’, kemi opinione të ndryshme, por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, ka deklaruar Zaev , në konferencën e përbashkët për medie me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, kryeministri Kurti e ka përsëritur qëndrimin që e kishte shprehur të martën në Tiranë. Ai ka thënë se Kosova i mbështet iniciativat rajonale në të cilat përfshihet edhe Bashkimi Evropian.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut. Jemi të orientuar kah e ardhmja dhe për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra, Bashkimi Evropian është fati ynë, andaj, ne, si Republikë e Kosovës i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Kurti.

Edhe ai, sikurse homologu i tij maqedonas, ka thënë se pikëpamjet e ndryshme për nismat rajonale nuk do të ndikojnë në bashkëpunimin midis dy vendeve dhe në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

“Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohet gjatë zbatimit, pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Maqedonisëdhe Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e tyre të përbashkët, i kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi në fushë të infrastukturës, të ekonomisë, të administratës dhe të shërbimeve për qytetarët e të dyja vendeve.

(r.m.)