Zbulohen miliardat e vajzës së “socialistit” Hugo Çavez

Ndërsa Venezuela, aq e pasur me naftë, është në prag të falimentimit

Nga Ruben Avxhiu

Venezuela, vendi i pasur me naftë, por që ndodhet në prag të falimentimit, është shokuar nga lajmi që vajza e ish-presidentit Hugo Çavez paska në llogarinë e saj bankare 4,2 miliardë dollarë.
Për ata që e mbajnë mend Hugo Çavez ishte revolucionari që do të kthente socializmin në Amerikën Latine dhe në botë. Njeriu që i jepte naftë pa para Fidel Kastros e që financonte partitë e majta në gjithë botën, që blente armë nga Rusia e që donte që e gjithë bota të organizohej kundër Amerikës.
Çavez ashtu si mund të imagjinohet nga një demagog si ai ishte edhe kundër pavarësisë së Kosovës, nga më të ashprit. Një nga pak vendet që dërgoi mendim juridik në favor të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, ku u debatua shpallja e pavarësisë.
Udhëheqësi socialist, që vdiq para kohe nga kanceri, gjatë gjithë jetës së tij foli me urrejtje kundër të pasurve dhe biznesmenëve dhe e kishte shpallur veten avokat të të varfërve e të pambrojturve. Ai shtetëzoi burimet e naftës dhe kompanitë që punonin në të, duke deklaruar se që këtej e tutje paratë e naftës venezueliane do t’i shkonin popullin.
Ai ishte paranojak kundër Amerikës të cilën e denonconte vazhdimisht. Madje kishte deklaruar se po ta vriste njeri fajin do ta kishte gjithnjë CIA.
Për ta turpëruar Amerikën erdhi edhe këtu në Bronx dhe bëri një kontratë që hispanikët në jugun e varfër të lagjes, të mos paguanin për ngrohjen e apartamenteve të tyre.
Por, në fund të dekadës së presidencës së tij, gjatë të cilës ia lidhi duart opozitës dhe mori në kontroll median, mund të thuhet pa frikë se projekti i tij dështoi me turp. Madje mund të thuhet se e shpëtoi nga turpi vdekja e parakohshme. Ekonomia e shtetëzuar ashtu si dikur në vendet socialiste ishte e ngathët varej tërësisht nga shitja e burimeve nëntokësore. Me rënien e çmimit të naftës, mbaroi edhe përralla e ekonomisë socialiste Çaviste.
Këtë vit, partia e tij humbi për herë të parë zgjedhjet parlamentare. Presidenti në fuqi, Nikola Maduro tani bashkëjeton me opozitën e djathtë, por e ardhmja e vendit është në dyshim.
Sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi edhe kjo goditje e fundit që mbulon me turp dështimin historik. Ndërkohë që populli i Venezuelës, vajza e autokratit socialist pasurohej. Ndërkohë që ai ulërinte kundër pasanikëve, e bija pasurohej paturpërsisht. Ndërsa sot në banjot e vendit mungon letra higjenike, Maria Gabriela Chavez është miliardiere. Jo milionere: miliardiere.
4,2 miliardat e saj janë në banka amerikane dhe të Andorrës. Kjo shifër deri tani e fshehtë e vendos vazjën e ish-kryesocialistit në krye të listës së pasanikëve të Venezuelës, duke rrëzuar nga “froni”, bosin e medias Gustavo Cisneros, që sipas revistës “Forbes”, ka $3.6 miliardë.
Ky zbulim është bërë nga gazeta “Diario las Americas”, me qendër në Miami, Florida, por në Venezuela prej vitesh është folur për një pasuri të madhe të vënë mënjanë nga Çavez.

Ky skandal është vetëm shembulli i fundit i tre dukurive të rëndësishme, që do t’i përmend këtu.
E para, që është interesante se si, shumë shpesh, ata që flasin për barazi të njerëzve e bëjnë demagogji populiste janë ata që vjedhin më shumë e shkaktojnë më shumë dhimbje popullit në emër të të cilit flasin.
E dyta, që historia ka provuar tashmë se shteti social është ide shumë e mirë, por shteti socialist nuk është. Domethënë kujdesi social për të humburit në konkurrimin e tregut është i nevojshëm. Ashtu siç është edhe ndërhyrja e shtetit për të siguruar barazinë dhe ndershmërinë në konkurrim. Por shtetëzimi dhe marrja nën kontroll dhe komandimi i tregut të lirë është i rrezikshëm dhe shpesh fatal. Sidomos kur mashtron duke përdorur të ardhurat e shitjes së naftës si suksese të ekonomisë, e cila nuk prodhon asgjë konkurruese në tregun global.
E treta, se ashtu si doli edhe me Letrat e Panamasë, bota po bëhet gjithnjë e më e vogël për politikanët e biznesmenët që përpiqen të fshehin pasurinë e tyre. Gjithnjë e më shumë bota do të vendosë një sistem global që do të bëjë transparente qarkullimin e kapitaleve.
Shqiptarët kanë sigurisht shumë për të mësuar nga këto histori të kohës sonë. Politikanët tanë nuk kanë qenë model demokracie, prandaj do të ishte një çudi e madhe po t’i kishin duart e lara nga abuzimet me tregun dhe thesarin.
Një shprehje e bukur thotë: Politikanët duhen konsideruar fajtorë deri sa të provojnë të kundërtën.
Shqiptarët do ta përvetësojnë këtë vetëm kur ta fillojnë ta aplikojnë për të gjithë politikanët, jo vetëm për ata të partisë kundërshtare.