Zbulohet në Bosnjë një rrugë nga lashtësia romake

Sarajevë, 18 korrik 2021 – E zbuluar kohët e fundit, një rrugë e lashtë romake e “fshehur” në malet veri-lindore të Bosnjës, do të jetë magneti tërheqës i turistëve që vizitojnë atë vend. Ekspertët e zbuluan vendbanimin e lashtë në Malin Konju pas hulumtimeve të të dhënave historike dhe konsultimeve me banorët e asaj zone lidhur me gojëdhënat për rrugën e gurtë.

Profesoresha e historisë mesjetare dhe antike Mersiha Imamoviç ka ftuar një trupë aktorësh për të interpretuar skena të ushtrisë romake pas gjetjeve arkeologjike. Zbulimi dhe pastrimi rrugës, që mendohet se daton 2 mijë vjet më parë, mori shumë kohë. Profesoresha Imamoviç dhe ekipi i saj zhvilluan shumë kërkime në zona të ndryshme që nga fillimi i vitit 2019. Ata studiuan të dhënat historike dhe biseduan me banorët lokalë lidhur me gojëdhënat për rrugën e gurtë të periudhës romake.

“Kjo rrugë romake është monumenti i parë nga lashtësia e gjetur në Malin Konjuh, dhe i dyti që së bashku me një rezervuar të periudhës romake janë zbuluar në Tuzla në vitin 2019”, thotë zonja Imamoviç.

Dendësia pyjore e kishte fshehur nga syri i njeriut për dekada me radhë rrugën e ruajtur mirë.

Diplomatët italianë të ftuar në prezantimin publik të gjetjes arkeologjike u emocionuan nga spektakli i aktorëve të veshur si ushtarë romakë që udhëtonin në rrugën antike. Mateo Evangelista është zëvendës shef i misonit në ambasadën italiane në Bosnjë.

“Jam nga një qytet i vogël pranë Romës, kështu që kam shumë njohuri për bukuritë e Qytetit të Përjetshëm. Ky zbulim jashtëzakonisht interesant e bën edhe më të veçantë lidhjen mes Romës dhe Bosnjës.”

Bosnja shpreson që zbulimi i kësaj rruge të periudhës së antikitetit do të shërbejë si një pikë tërheqëse për turistët. Profesoresha Imamoviç thotë se ndjehet me fat që rruga e gurtë ishte ruajtur mirë mes pyllit të dendur.

Gjatë shekujve dy dhe një para erës sonë, romakët pushtuan atë që sot është Bosnja e kohëve moderne. Romakët gradualisht përfshinë pjesën më të madhe të zonës përgjatë Adriatikut në provincat e tyre, Dalmaci dhe Pannonia.

(Zëri i Amerikës)