“Zbulojeni fytyrën e saj”: Solidaritet me gazetaret afgane

Kabul, 28 maj 2022 – Prezantuesit meshkuj në televizionet afgane kanë veshur maska në transmetim, në shenjë solidariteti me koleget gra, të cilat janë urdhëruar nga talibanët t’i mbulojnë fytyrat e tyre.

Me dekretin e talibanëve, të lëshuar këtë muaj, gratë duhet t’i mbulojnë fytyrat në publik, duke veshur edhe veshjet islamike. Dekreti përfshin edhe prezantueset televizive.

Fillimisht e kanë sfiduar atë, por, nga 22 maji, prezantueset gra janë shfaqur me mbulesa të plota – me vetëm sytë jashtë – në rrjetet kryesore televizive.

Në të njëjtën ditë, disa kolegë të tyre meshkuj kanë mbuluar gjithashtu fytyrat, për të protestuar kundër dekretit të talibanëve.

“Jemi në pikëllim të thellë sot”, ka thënë Khpolwak Sapai, udhëheqës i transmetuesit kryesor afgan, Tolo News, në një postim në Facebook, më 22 maj.

Sapai ka postuar fotografi të punonjësve meshkuj dhe femra, të veshur me maska të zeza.

Imazhet kanë nxitur një fushatë në mediat sociale, në të cilën të tjerë – përfshirë gazetarë të shquar në vende të tjera – kanë postuar fotografi të vetes së tyre me maska, duke përdorur hashtagun #FreeHerFace, apo “Zbulojeni fytyrën e saj”.

Që nga marrja e pushtetit në gusht, talibanët kanë vendosur një sërë kufizimesh për gratë, duke përfshirë pamjen e tyre, qasjen në punë dhe shkollim, si dhe lirinë e lëvizjes.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se urdhri i talibanëve që prezantueset gra t’i mbulojnë fytyrat, është një përpjekje e tyre për t’i detyruar ato që të lënë punën dhe të largohen nga jeta publike. Më herët, gratë në televizionet në Afganistan kanë mbajtur shami më të gjera, që kanë mbuluar vetëm flokët e tyre.

Dekreti i ri “është i palogjikshëm”

Prezantueset gra janë zotuar se do të vazhdojnë të punojnë dhe të ngrenë zërin e tyre, pavarësisht dekretit të ri.

“Ne të gjithë e dimë se mediat janë zëri i shoqërisë dhe kufizimet ndaj mediave nënkuptojnë shtypje të lirisë së shprehjes”, ka thënë një prezantuese televizive për Radion Evropa e Lirë.

“Dekreti i ri është i palogjikshëm dhe nuk ka ndonjë justifikim fetar”, ka thënë ajo, duke mos dashur të identifikohet.

Sipas saj, gratë duhet ta kenë të drejtën të zgjedhin se çfarë veshin në publik.

Prezantuesja e Tolo News, Banafsheh Binesh, ka thënë se puna e saj po pengohet nga dekreti i talibanëve.

“Të prezantosh me maskë është shumë sfiduese”, ka thënë Binesh për Radion Evropa e Lirë.

“Kur fytyra juaj është e mbuluar, ajo krijon distancë midis prezantuesit dhe audiencës”, ka thënë ajo.

Yalda Ali, një tjetër prezantuese e Tolo News, ka thënë se dekreti i ri është përpjekje për t’i hequr gratë nga transmetimi.

Në një video të postuar në internet, ajo i ka falënderuar kolegët meshkuj për solidaritetin, ndërsa i ka pyetur se sa larg do të ishin të gatshëm të shkonin, në mbështetje të kolegeve të tyre.

“Ky është një [proces] hap pas hapi. Sot, jam urdhëruar të mbaj maskë, për të mbuluar gjysmën e fytyrës sime. Nesër do të më urdhërojnë të vesh burka, që të jem e mbuluar plotësisht… A do të veshin burka edhe kolegët e mi [meshkuj]?”,ka pyetur Jalda.

Mohammad Akif Sadeq Mohajir, zëdhënës i Ministrisë së Talibanëve për Promovimin e Virtyteve dhe Parandalimin e Veseve, ka thënë se grupi nuk është kundër prezantueseve gra.

“Ne nuk e kemi ndërmend t’i heqim ato nga skena publike, ose t’i margjinalizojmë, ose t’ua marrim të drejtën për punë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve AFP.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se urdhri që prezantueset gra t’i mbulojnë fytyrat ka justifikim fetar. Ai promovon “dëlirësinë dhe dinjitetin” e grave, ka thënë Mujahid për Radion Evropa e Lirë.

Që nga rikthimi i talibanëve në pushtet, shumë gazetare afgane janë detyruar të lënë punën. Të tjera janë larguar nga vendi, ndërsa disa që kanë mbetur atje, janë fshehur.

Në shtator, organizata franceze e mediave, Reporterët pa Kufij, ka thënë se, pavarësisht garancive nga talibanët se gratë gazetare do të lejohen të vazhdojnë punën, më pak se 100 nga 700 gra gazetare në Kabul kanë mbetur në punë.

Organizata për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch, ka thënë përmes një deklarate më 23 maj se diplomatët e huaj, që takohen me talibanët, duhet të mbështesin fushatën #FreeHerFace dhe të flasin kundër shkeljeve të të drejtave të grave nga talibanët.

(REL)