Kongresisti Zeldin kërkon për herë të tretë shpjegime për Sali Berishën

Kongresisti amerikan Lee Zeldin i është drejtuar sërish së fundi Departamentit Amerikan të Shtetit dhe sekretarit Blinken për rastin Sali Berisha duke lëshuar akuzën e fortë se Blinken po pengon Kongresin që kërkon transparencë për këtë çështje.

Në letër Zeldin shkruan se qeveria duhet të japë llogari dhe të bëjë transparencë përpara Kongresit.

“Kanë kaluar 5 muaj që kur kam bërë kërkesën time e cila është në thelb më shumë se koha e mjaftueshme për t’u përgjigjur, dhe sot bëj kërkesën e tretë por nuk marr asnjë përgjigje. Eshtë e papranueshme dhe e dyshimtë që Departamenti i shtetit nuk e ka përmbushur mjaftueshëm këtë kërkesë për informacion shtesë në kohën e duhur” shkruan ai.

Ndërkohë në njoftimin për shtyp që shoqëron letrën, Zeldin nënvizon se Berisha është aleat i Presidentëve Bush dhe kundërshtar i aktivistit të majtë George Soros.

Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” në maj të këtij viti më një vendim të sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken me motivacionin e korrupsionit madhor.