Zelenskyy: BE-ja të dëshmojë se premtimet e saj nuk janë fjalë boshe

Kiev, 10 qershor 2022 – Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy i kërkoi me forcë Bashkimit Evropian që ta fusë vendin e tij drejt rrugës së anëtarësimit.

Në një fjalim video të mbajtur të premten në takimin e nivelit të lartë mbi Demokracinë që zhvillohet në Kopenhagë, zoti Zelenskyy tha se BE-ja duhet të veprojë shpejt për t’i ofruar Ukrainës statusin e vendit kandidat për t’iu bashkuar bllokun prej 27-vendesh.

Ai tha se situata e paqartë në të cilën është lënë Ukraina ka inkurajuar agresionin rus. Zoti Zelenskyy i kërkoi BE-së të tregojë, siç u shpreh ai, “se fjalët për popullin ukrainas, se është pjesë e familjes evropiane, nuk janë fjalë boshe”.

Zoti Zelenskyy shprehu keqardhjen që ka ende disa skeptikë, që ngrenë pikëpyetje nëse Ukraina duhet të nisë procesin për t’u bërë pjesë e BE-së.

Po sot, gjatë të njëjtit takim, zëvendës shefi i NATO-s Mircea Geoana tha se nuk sheh asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak nga Rusia, për Suedinë dhe Finlandën. Ai shtoi se është i bindur se këto dy vende do t’i bashkohen NATO-s, pavarësisht kundërshtisë së Turqisë.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u anëtarësuar në aleancë muajin e kaluar, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainës, por ato po përballen me kundërshtimin e Turqisë. Ankaraja i akuzon këto vende për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që i konsideron terroriste.

“Ne kemi besim se Suedia dhe Finlanda do të bashkohen me radhët tona”, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana. “Aleatët kanë shqetësime. Turqia ka disa shqetësime, që janë legjitime kur bëhet fjalë për terroristët”, shtoi ai.

Suedia dhe Finlanda kanë thënë se dënojnë terrorizmin dhe janë të hapura për dialog.

Ndërkohë të enjten Finlanda njoftoi se kishte në plan të ndryshonte ligjin mbi kufirin, për të lejuar vendosjen e pengesave në kufirin e saj lindor me Rusinë, si një hap për të forcuar gatishmërinë kundër kërcënimeve të ndryshme.

(Zëri i Amerikës)