Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë mbetet në dorën e PS-së

Tiranë, 30 maj 2022 – Kuvendi i Shqipërisë e konsumoi edhe raundin e tretë të votimit për presidentin e ri të vendit, për shkak se as këtë raund nuk pati asnjë kandidat për të votuar.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se ky ishte një shans i humbur për t’i dhënë legjitimitetin e duhur institucionit ët kreut të Shtetit, duke i fajësuar për këtë socialistët. Ndërsa socialistët i fajësuan demokratët që, sipas tyre, nuk e shfrytëzuan mundësinë për të propozuar një kandidat.

Në dy raundet e fundit socialistët nuk kanë asnjë pengesë për të zgjedhur një president të propozuar prej tyre, duke qenë se tani mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë në kuvend.

Parlamenti u mblodh për herë të tretë vetëm për të respektuar formalisht procedurën, duke konstatuar mungesën e një kandidati për president. Në sallë mungonte një numër i madh deputetësh demokratë, kryesisht atyre që e kishin mbështetur angazhimin e Alibeajt në procesin për zgjedhjen e kreut të Shtetit.

Alibeaj tha më vonë se shumica nuk i qëndroi marrëveshjes, për të cilën, siç u shpreh, kishte dhënë dakortësinë. Sipas tij, kështu u dëshmua se deklarimet e sociaistëve për një president mbi palët ishin hipokrizi.

“Humbëm një rast për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një institucion i cili do të duhet të kishte legjitimitetin e palëve, që do të ishte garancia që më vonë të ishte i tillë, sa herë të kishte joshje, shantazhe, do të ishte sfida politike, për aq sa presidenti i Republikës ka, të qëndronte në mënyrë serioze, në lartësinë e detyrës”, tha Alibeaj.

Por, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, i fajësoi demokratët që nuk propozuan asnjë kandidat në të paktën dy raundet e fundit.

Tani socialistët mund ta zgjedhin vetëpresidentin e ri të vendit, duke qenë se në dy raundet e mbetura, mjafton shumica e thjeshtë prej 70+1 deputetësh. Pavarësisht kësaj, zoti Balla u shpreh se “ne do vazhdojmë të kërkojmë komunikim dhe dialog me të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës, për të siguruar një mbështetje sa më të madhe dhe konsensuale për zgjedhjen e presidentit”.

Socialistët pritet të mbledhin kryesinë për të diskutuar mbi kandidatin e mundshëm dhe më pas grupin parlamentar. Me gjasë ata do të kërkojnë që votimi në raundin e katërt të zhvillohet në kufirin maksimal të kohës, të hënën e ardhshme, edhe sepse, kryeministri Edi Rama, ka fluturuar drejt New York-ut. Shqipëria merr më 1 qershor presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe ai pritet të drejtojë një ditë më pas debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare.

Parlamenti i Shqipërisë sot nderoi me një minutë heshtje ish presidentin e Shtetit, Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta të shtunën.

(Sipas Zërit të Amerikës)