Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë: As kërkesë nga Beogradi, as vendim nga Prishtina

Prishtinë, 21 mars 2022 – Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të komunikojnë në distance, përmes autoriteteve ndërkombëtare dhe përmes medieve, lidhur me votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 3 prill.

Autoritetet e Kosovës janë në pritje të kërkesë zyrtare të autoriteteve të Serbisë, të nuk e bëjnë këtë nga droja se kështu e legjitimohet pavarësia e Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, tha se në Kosovë nuk ka ardhur ende kërkesa zyrtare e Serbisë.

“Zgjedhjet mund të organizohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vetëm pas një kërkese nga shteti serb te shteti i Kosovës. Kjo kërkesë nuk ka ardhur”, tha Kusari – Lila të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur në disa raste se Qeveria eKosovës angazhohet për realizimin e të drejtave të serbëve, pa e cenuar sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes dhe të mos marrë asnjë vendim që mund ta cenojë sovranitetin e Kosovës.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i kërkon Qeverisë që ta mbrojë sovranitetin e vendit tonë. Çdo zgjidhje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që Qeveria të bashkëpunojë me Kuvendin për çfarëdo vendimi që mund të marrë për zgjedhjet serbe.

“Qeveria duhet ta trajtojë këtë temë shumë seriozisht, të mos na shkektojë panik. Duhet ta njoftojë Parlamentin se nëse vendos kundër cilat janë pasojat dhe të mirat, dhe anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Pozicioni i Beogradit lidhur me këtë temë ka ardhur nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sioas komunikatës së kësaj zyrje, vendimi lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës do të merret nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të martën.

“Qëndrimi i Republikës së Serbisë dhe organeve të saj shtetërore lidhur me situatën e re do të shpallet nesër (22 mars), pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kur edhe do të vendoset për hapat e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Edhe nga kjo komunikatë shihet se Beogradi druan se mos do ta “faktorizojë” Prishtinën, prandaj mesazhin për Prishtinën e përcjell përmes faktorit ndërkombëtar, të cilave u ankohet se autoritetet e Kosovës po e shantazhojnë Serbinë dhe po i shkelin të drejtat e serbëve në Kosovë.  

“Beogradi zyrtar pret që vendet e Quint-it të marrin qëndrim të qartë dhe, pa mëdyshje, për shantazhin dhe sabotimin e Prishtinës, si dhe për shkeljen e të drejtave themelore, civile dhe demokratike të serbëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që kundërshton orgamizimin e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për të moslejuar organizimin e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e deritashme parlamentare të Serbisë në  territorin e Kosovës janë mbajtur me  mbështetjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili i ka grumbulluar votat dhe i ka dërguar për numërim në dy qytete të Serbisë, Rashkë dhe Vranjë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është i gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, nëse për këtë pajtohen të dy palët.

(r.m.)