Zgjedhjet lokale dhe komuniteti shqiptar në SHBA

Këto histori, jo vetëm fitoret, por edhe humbjet, çimentojnë bindjen se një fazë e re ka filluar për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan

Nga Ruben Avxhiu

Shqiptaro-amerikanët i pritën rezultatet e zgjedhjeve të 2 nëntorit ashtu si shumica e amerikanëve të tjerë. Shqiptarët republikanë festuan, demokratët patën reagime të përziera.

Për shembull, në New York City, kryebashkiaku i ri do të jetë një demokrat, por ishte kandidati më i kundërshtuar i krahut të majtë e socialist të Partisë Demokrate.

Eric Adams, që fitoi thellësisht dhe do të qeverisë qytetin për katër vitet e ardhshme e nisi fushatën e tij, për kuriozitet, me një grup shqiptaro-amerikanësh që organizuan takimin e parë të tij për mbledhje fondesh.

Një shqiptar i ri, Willy Pilku ishte organizatori i takimit, ku një ndër mbështetësit e parë të Adams ishte botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Në atë kohë mendoja se Ruben Diaz Jr, presidenti i Bronx-it ishte jo vetëm kandidati më i afërt me shqiptarët po edhe fituesi më i mundshëm. Koha tregoi se Bajrami dhe Pilku kishin pasur të drejtë. E majta e luftoi shumë Adamsin, një ish-oficer policie që si afrikano-amerikan mund të dëshmonte për të dy krahët e argumentit lidhur me abuzimet e policisë në përdorimin e forcës.

Reforma e policisë nuk mund të ketë sukses nëse çmimi është rikthimi i kriminalitetit të lartë në New York dhe toleranca ndaj dhunimit të pronës private. Si sipërmarrës të vegjël e familjarë që jetojnë në këtë qytet shqiptaro-amerikanët e kuptojnë shumë mirë këtë. Shumë demokratë shqiptarë u gëzuan që Adams fitoi.

Krahu i majtë i demokratëve kishte hequr nga Kongresi një vit më parë mikun e tyre Eliot Engelin, duke e zëvendësuar me një kongresist kukull që përsërit çfarëdo që thotë kolegia e tij e bujshme Alexandria Octavia-Cortez. E njohur si AOC, socialistja njujorkeze është bërë shumë shpejt një nga figurat më të njohura të Partisë Demokrate në SHBA, mirëpo, kësaj here kandidati i Engelit e mundi kandidaten e AOC-së në garën për kreun e qytetit.

Engel dhe Adams, gjatë një takimi me votues

Shqiptarët demokratë në SHBA kanë bërë përpjekje për ta institucionalizuar punën e tyre. Muajin e kaluar, disa udhëheqës të komunitetit me përvojë në fushatat zgjedhore themeluan Këshillin Demokratik Shqiptaro-Amerikan (Democratic Council of Albanian Americans – DCAA). Një nga anëtarët e Bordit, Vedat Gashi u rizgjodh në legjislaturën e kontesë Westchester, ku do të perfaqësojë distriktin e 4-t.

“Pa ndihmën tuaj nuk do ta kishim arritur dot këtë fitore”, u tha Gashi në fjalimin e tij të fitores mbështetësve të mbledhur natën e zgjedhjeve, shumica prej të cilëve shqiptaro-amerikanë. Fjalimi u filmua nga gazetari Halil Mula që e ka ndjekur fushatën nga afër.

Familja e tij emigroi nga Kosova në SHBA rreth 40 vjet më parë, por mbeti e lidhur me atdheun. Pas çlirimit të Kosovës, Vedat Gashi u vendos aty dhe shërbeu si këshilltar ligjor gjatë procesit të ngritjes së institucioneve të para të Kosovës së lirë.

Ai mbetet tani i vetmi shqiptaro-amerikan i zgjedhur në New York, pasi anëtari i parë historik, në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj vendosi të mos rikandidojë.

Në fakt, zona 13 që përfaqësonte ai në Bronx, përpak sa nuk zgjodhi një shqiptar tjetër për ta përfaqësuar. Alexander Mici kandidoi si republikan dhe humbi, por duke marrë 45% të votave. Ky është një rezultat habitës, pasi kjo zonë është thellësisht demokrate dhe mbas largimit të Gjonaj, e preferuara e Partisë Demokrate, Marjorie Velasquez dukej si një kandidaturë e sigurtë. Në fakt, rezultati final tregoi diçka tjetër dhe të bën të mendosh dy gjëra. E para që Gjonaj ndoshta bëri gabim që nuk kandidoi përsëri sepse do të ishte rizgjedhur edhe po të kishte kandiduar si i pavarur. E dyta, që një organizim më i mirë nga komuniteti shqiptar mund të kishte bërë çudinë e radhës.

Sipas gazetarit Beqir Sina, Alexander Mici tha se pikërisht mungesa e shqiptarëve në votime shkaktoi humbjen e tij. Ata nuk treguan interes për të dalë për të votuar për një prej djemve të komunitetit. Nuk e di se sa kanë votuar vërtet, por kjo është një nga zonat ku shqiptarët, ndonëse pakicë, kanë mjaftueshëm numra për të përmbysur rezultate të ngushta.

Një justifikim mund të jetë se pakkush e kishte menduar që pozita e Velasquez ishte kaq e brishtë. Nga një anë është shqetësuese që shqiptarët nuk dalin të votojnë. Nga ana tjetër, ata nuk ndryshojnë shumë nga shumica e emigrantëve, madje edhe amerikanëve vetë. Unë kam jetuar në lagje që kanë nivel të lartë aktivizmi politik si dhe edukatë politike e arsim universitar. E megjithatë, kur nuk ka zgjedhje presidenciale apo për kongres, as 10% e votuesve nuk dalin për këshillat bashkiake e pozitat lokale. Ky është një lloj krimi sepse këto janë postet që në fakt ndikojnë më shumë në jetën tonë të përditshme.

Alexander Mici

Po që ta përsërisim për kushedi të satën herë, pjesëmarrja masive kërkon organizatë në terren. Kërkon “patronazhistët” që përfliten kaq shumë në Shqipëri se të kujtojnë kohën e Enverit. Në thelb, që të jemi të sinqertë, mekanizmi në zemër të këtij organizimi është që çdokush nga vullnetarët e organizuar të jetë përgjegjës për një pallat, apo një listë njerëzish, që të shkojë e t’i frymëzojë apo t’i çmendë derisa të lënë hallet apo qejfet e ditës dhe të shkojnë e të votojnë ditën e zgjedhjeve.

Është lehtë të bësh leksione morale, por dita e zgjedhjeve në SHBA është gjithmonë e martë. Është ditë e vjeshtës së vonë, si dhe ditë pune. Shumica e njerëzve shkojnë në punë. Kanë hall të kapin autobusin apo trenin, të kthehen para mbrëmjes nga puna, të marrin fëmijët, të bëjnë darkën, të mbledhin kockat pas një dite të lodhshme. Orët e ditës ikin shpejt, në mbëmje është ftohtë. Duhet gjetur qendra e votimit, duhet të mos ketë radhë. Të mos bjerë shi. Prandaj ka filluar vota e parakohshme. Tani ke një javë përpara për të votuar. Po duhet t’ua kujtosh njerëzve. T’u bëhesh rodhe.

Rezultati i Micit duhet të jetë frymëzues për të ardhmen. Ndonëse pa u kuptuar, u humb një rast mbase i artë për të.

Shqiptarët nganjëherë bëjnë humor me rëndësinë e votës së tyre. Por demokracia është tekanjoze. Në New Jersey, dje, kur u bënë shkrimet për rezultat e zgjedhjeve, pas 88% të votave në numëruara, në mbi 2,3 milionë vota, diferenca për garën e guvernatorit, ishte vetëm 1,200 vota. Shqiptarët kanë dhjetëra mijëra vota aty. Një organizim i orientuar do t’i kishte bërë faktor vendimtar. Komunitetet e vogla shpërfillen deri në ditën kur rezultati ngushtohet.

Ashtu si në Michigan në 2016, kur Trump fitoi me 10,000 vota më shumë se Hillary Clinton; një shtet ku shqiptarët numëronin mbi 40,000 vota. Në 2020, të dy fushatat u përpoqën t’i marrin shqiptarët me të mirë. Ndryshe nga disa komunitete të tjera, vota shqiptare nuk shkon eksluzivisht te njëra nga partitë. Pluralizimi që kemi në komunitet është pjesë e forcës sonë.

Forcën e një komuniteti si shqiptarët e përmendte edhe “The New York Times” pak ditë më parë, duke folur për zgjedhjet në Boston, Massachusetts. Bostoni sapo zgjodhi si kryetare të Bashkisë për herë të parë një aziatiko-amerikane, Michelle Wu.

Duke përshkruar aftësitë e zonjës Wu, John Connolly, një ish-këshilltar i qytetit tregonte se pse kryebashkiakja e re kishte pasur sukses në politikë. Sipas tij, ashtu si dikur kryebashkiaku i njohur, Menino, ajo kishte një “kujtesë fotografike për çdo cep dhe kënd të Bostonit”.

“Ajo mund të ta thotë në çast se ku janë gjashtë vendet ku shqiptarët shoqërizohen në Rosindale”, tha ai për “The New York Times”.

Politikanët që zgjidhen janë ata që nuk injorojnë asnjë votë. As ne nuk duhet ta tallim dhe injorojmë votën tonë. Dhe as ta japim lehtë.

Po në Massachusetts, një tjetër shqiptare është zgjedhur në Këshillin e Qytetit në Worcester. Etel Haxhiaj, që u vendos në SHBA me familjen në 2001, një refugjate që tani do të përfaqësojë lagjen e saj. Ajo mori 55% të votave duke mundur këshilltarin Gregory Stratman.

Kjo histori mbase mund t’i shërbejë në veçanti Alexander Micit, që të mos humbasë shpresën. Dy vjet më parë, Etel Haxhiaj kandidoi kundër Stratmanit dhe humbi me 700 vota diferencë. Këtë vit e provoi përsëri, me mësimet e nxjerra nga humbja e parë. Riorganizoi daljen në votime dhe arriti suksesin historik.

Etel haxhiaj

Në mënyrë të ngjashme, Mario Kepit iu mohua fitorja vetëm për 160 vota që bordi zgjedhjeve i anulloi për arsye të dyshimta. Ndonëse humbi betejën gjyqësore, Kepi ka arsye të besojë për një rikthim në politikë. Potenciali i votës shqiptare, sidomos në disa zgjedhje lokale, është i madh. Ai thjesht ka nevojë të hartohet dhe të administrohet më mirë.

Një shembull suksesi është Rob Gjonaj (Djonovic) nga Michigan që u rizgjodh këshilltar bashkiak në Livonia, megjithë fushatën e ashpër kundër tij nga Partia Demokrate lokale. Fitoren e arriti edhe me ndihmën e shqiptarëve demokratë që kaluan në “anën tjetër” për djalin e komunitetit të tyre.

Këto histori, jo vetëm fitoret, por edhe humbjet, çimentojnë bindjen se një fazë e re ka filluar për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Tani ata që konkurrojnë e zgjidhen nuk janë raste të vetmuara e lajme të bujshme. As nuk janë aventura për vetëreklamim. Vajza e djem të komunitetit po zgjidhen në pozita të larta të qeverisë dhe pushtetit përfaqësues në SHBA. Me pak më shumë ndihmë nga të gjithë, një dekade e pashoqe suksesesh sapo mund të ketë filluar.

Rob Gjonaj Donovic