Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, vendvotimet u mbyllën në orën 19:30

Shkup, 17 tetor 2021 – Në Maqedoninë e Veriut procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka zgjatur deri në orën 19:30.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se mbyllja e vendvotimeve u shty për 30 minuta për t’ua mundësuar votimin të gjithë personave me të drejtë vote që prisnin në radhë pranë qendrave të votimit.

Procesi i votimi u zgjat edhe për shkak të problemeve teknike të hasura gjatë identifikimit elektronik të fotuesve.

Sipas KSHZ-së, deri në orën 18:30 minuta në votime kanë dalë 49.29 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 697,637 qytetarë nga gjithsej 1.8 milion votues.

Pjesëmarrja më e lartë në zgjedhje ka qenë në komunën e Vevçanit, rreth 73 për qind, ndërsa pjesëmarrja më e ulët kaqenë në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, mes 30 e 40 për qind.

Procesi zgjedhor është zhvilluar kryesisht i qetë dhe pa incidente që do ta deformonin procesin zgjedhor.

Në zgjedhjet e sotme qytetarët kanë votuar për kryetarët e 80 komunave dhe për anëtarët e këshillave komunale, si edhe për kryetar të Shkupit, me dhjetë komuna, Shkupi është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje është zhvilluar mes dy blloqeve politike; LSDM-së e BDI-së që janë në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët e Alternativës, në opozitë.

Partitë shqiptare e zhvilluan garën për qytetet me shumicë shqiptare: Tetovë, Gostivar, Çair (Shkup), Kërçovë, Strugë e Dibër, si edhe disa komuna rurale.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si: Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla.

(r.m.)

Comment

*