Zgjedhjet në FRPD/ Këlliçi del kundër Bashës: Vendimi është nul!

Kryedemokrati Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave të FRPD-së dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyr procesin. Ky vendim i Bashës vjen pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Por kjo lëvizje është kundërshtuar nga anëtarët e FRPD-së, ndërsa në mbështetje të tyre ka dalë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

Ky i fundit është shprehur se vendimi i Bashës për riorganizimin e strukturave të FRPD-së ka ardhur menjëherë pasi i kishte konfirmuar Bashës pjesëmarrjen në foltoren e ish-kryeministrit Sali Berisha që do të mbahet ditën e dielë.

“Vendimi erdhi pasi unë i konfirmova Bashës pjesëmarrjen në foltoren e të dielës. Që nga 10 shtatori PD është në një krizë të brendshme që duhet të marrë zgjidhje nga insitucionet e partisë me votë. Qëndrimi ynë unanim që është firmosur nga të gjithë anëtarët ka qenë i prerë se ne këtë proces nuk e njohim dhe kur të piqen kushtet ne kemi detyrim statutor të bëjmë zgjedhje. Çdo shtëpi ka themelet e saj dhe themelet e PD janë te forumi. Jam krenar për demokracinë tonë të brendshme. Vendimet përherë merren me votë. Vendimi për zgjedhjet në FRPD është nul pasi nuk është kompetencë e kryetarit”, tha Këlliçi.

Po ashtu kundër vendimit të Bashës u shpreh edhe Sekretari i Përgjithshëm i FRPD, Grigel Muçollari. Ai deklaroi se veprimi i ndërmarrë nga Basha shkel statutin e PD-së, ndërsa i bëri thirrje kryedemokratit që të heqë dorë nga çdo formë intimidimi ndaj anëtarëve të forumit Rinor në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

“Veprimi i ndërmarrë nga Basha shkel rëndë statutin e PD. Ky veprim shkel stautin e PD, i tejkalon kompetencat e kryetarit. Ne e konsiderojmë si veprim të padrejtë dhe që fyen rëndë integritetin tonë, e konsiderojmë nul. I bëjmë thirrje Bashës se as tentativat e intimidimit ndaj anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që rrjedhin nga forumi nuk do na ndalin. Nuk do lejojmë që ai të shkel statutin rregullat dhe dinjitetin tonë. I bëjmë thirrje që të tërheqë menjëherë vendimin që ka lëshuar”, tha Muçollari.

Top Channel