Zgjedhjet vendore në Kosovë: Një mësim i mirë për të gjithë politikanët

Sadik Elshani

Zgjedhjet e lira dhe të pastra janë njëra nga shtyllat kyçe të demokracisë. Vota e lirë është arma më e fortë në duart e popullit. Është me rëndësi që të fitojë vendi, populli demokracia dhe jo vetëm kandidati i ndonjë partie të caktuar. Kosova tani ka vite që organizon zgjedhje të qeta, procesi zgjedhor rrjedh pa ndonjë problem të madh, parregullësi të mëdha. Por, ajo që është më e rëndësishmë, është fakti që humbësi e pranon rezultatin e zgjedhjeve. Kuptohet, proces të përkryer zgjedhor nuk ka as në vendet me tradita e demokraci të përparuara, por është me rëndësi që parregullesitë të jenë sa më të vogla e sa më të pakta.

Në zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit të vitit 2021 Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli fitimtare, por në zgjedhjet vendore (lokale) të 17 tetorit,në rrethin e parë,  LVV nuk arriti ta fitojë asnjë komunë. Në rrethin e dytë është në balotazh në disa komuna. Kjo tregon se votuesi i Kosovës është zgjuar dhe dita – ditës është duke fituar një përvojë, kulturë zgjedhore, duke mos votuar verbërisht asnjë subjekt politik, asnjë politikan, duke i mbajtur përgjegjës politikanët për përmbushjen e premtimeve të tyre parazgjedhore dhe mënyrën e qeverisjes së tyre. Për punë, qeverisje të mirë votuesi të vlerëson, ndërsa për punë të keqe mosmbajtjen e premtive, arrogancë, ai të dënon.

Këto rezultate nuk janë duke u pëlqyer disa “analistëve”, “komentatorëve” politikë, të cilët me shumë të padrejtë janë duke e akuzuar, popullin, votuesit si njerëz amoral, pa ndërgjegje kombëtare dhe shumë akuza të tjera. Kjo është një fyerje e rëndë për popullin e Kosovës. Dikush i vlerësoi këto zgjedhje si thikë pas shpine të Kosovës, tradhti. Sot (30 tetor, 2021) sapo lexova një titull: “Zgjedhjet lokale kundër Kosovës”.  Çfarë logjike! Kosova kurre nuk mund të rrezikohet nga mbajtja e zgjedhjeve të lira. Disa komentuesve nuk ua vë në dyshim atdhedashurinë e tyre, dashurinë për Kosovën, por kam përshtypjen se ata kanë ngelur peng i mendësisë së vjetër se, po e mori pushtetin një parti që ata nuk e duan, ajo parti s’do ta lëshojë më pushtetin, do ta mbajë atë përgjithmonë. Ato kohëra kanë përfunduar njëherë e përgjthmonë. Partia që sot i ka fituar zgjedhjet, nesër mund t’i humbë ato. Mirë e ka thënë Mjeda: “Bylbyl, ky shekull orë e ças ndrrohet/Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet”. Është me rëndësi që të krijohet një ecuri ku pushteti ndërrohet në mënyrë paqësore. Të mos lidhemi për individin (vetjen), por të krijojmë institucione të qëndrueshme e funkciopnale demokratike. Pushteti korrupton lehtë, prandaj duhet mbajtur politikanët në shënjestër. Asnjë kandidati, asnjë partie të mos i jepet një “blank check”, sepse mund të keqpërdoret shumë lehtë e shumë shpejt. Nganjëherë edhe humbja është e mirëeseardhur, t’i çelë sytë, të zgjon nga gjumi, të jep një mësim që herën tjetër duhet të punosh më mirë që ta fitosh votën e qytetarit.

Ja unë kam shkruar kundër politikanëve të korruptuar, dukuritë negative në shoqërinë kosovare, ja askush. Vetëm disa nga titujt: “Vetëshkatërrimi, vetëvrasja e një shteti të ri”, “Korrupsioni në mesin tonë, korrupsioni brenda nesh”, “Kosova si plaçkë lufte, pronë private” e shumë të tjerë. Por, nuk mund t’i fusim të gjithë në një thes. Këto janë zgjedhje vendore për krytarë komunash dhe asamble komunale dhe kandidatët nihen shumë mirë në të gjitha komunat përkatëse. Si qenka e mundur që qytetarët me votat e tyre të lira po votokan për personat (vetjet) e korruptuar, hajnat?! Po sjell këtu vetëm dy shembuj për të ilustruar atë që u tha pak më lartë. Në komunën e Suharekës/Therandës ka fituar në rrethin e parë z. Bali Muharremaj i AAK-së. Z. Muharremaj nuk është hajn, nuk është i korruptuar dhe për punën e tij kam dëgjuar vetëm fjalë të mira. Prandaj, ai e gëzon përkrahjen e qytetarëve të Suharekës/Therandës. Suharekasit/Therandasit nuk kanë nevojë që dikush t’u tyregojë atyre se për ke duhet të votojnë, ata e njohin shumë mirë njëri – tjetrin. E mora si shembull Suharekën/Therandën, sepse është vendi ku jam lindur e rritur. Ka vite që jam larguar nga qyteti im, por i përcjell me vëmendje rrjedhat e jetës së tij, jam në kontakt të vazhdueshëm më familjarët, miqtë e mi – ia njoh zemrën dhe shpirtin qytetit tim. Edhe z. Përparim Rama kandidat për kryebashkiak të Prishtinës, nga LDK-ja e që është në balotazh me kandidatin e LVV-së, nuk është hajn, nuk është i korruptuar. Përkundrazi, ai është një arkitekt i suksesshëm, i njohur ndërkombëtarisht, i cili është themelues e pronar i disa firmave arkitektonike; ka një vizion të qartë, një plan të realizueshëm për zhvillimin hapësinor, ekonomik e kulturor të kryeqytetit të Kosovës. Kandidatura e tij për kryebashkiak do t’i bënte nder çdo metropole botërore. Tani po u drejtohem atyre që janë duke vajtuar për rezultatet e zgjedhjeve vendore të 17 tetorit: Çfarë të keqe i sjellin Kosovës z. Muharremaj, z. Rama (e shumë të tjerë), çfarë rreziku i kanoset Kosovës nga ata, pse qenka tradhti të votosh për ta? Vetëm pse nuk vijnë nga radhët e LVV-së?! Prandaj, mos vajtoni, mos akuzoni, mos urreni, mos mbillni grindje e përçarje për rezultatet e zgjedhjeve, por uroni fituesit – është mirësjellje, eshtë njerëzi, është demokraci, është atdhetari. Mos hidhni baltë mbi dinjitetin, atdhetarinë e votuesit të Kosovës. Urone Kosovën që po organizon zgjedhje të lira, të qeta e të pastra. Është tipar i një shteti të qëndrueshëm e demokratik, edhe pse Kosova ka probleme të tjera të shumta. Shpëtimi i Kosovës nuk mund të vijë nga një njeri, një parti, por nga ndërgjegjësimi, vetëdijësimi, angazhimi i të gjithë qytetarëve të saj, e në radhë të parë, të intelektualëve dhe ekspertëve. Mjerë ai popull, vend, që shpëtimin e tij e pret nga një njeri, një parti.

Ne demokraci, në zgjedhje të lira e të pastra le të fitojë kandidati që merr vota me shume, i pëlqeu apo nuk i pelqeu dikuj. Për fituesin duhet thënë vetëm këto fjalë: Urime e punë të mbarë! Çka mund t’ju ndihmoj?

Philadelphia, më 31 tetor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.