Zgjedhjet vendore në RMV, Fejzi Hajdari dhe Roland Amzai kritik me Tiranën e Prishtinën

Maqedonia e Veriut voton të dielën për zgjedhjen e kryetarëve të 80 komunave dhe këshillave komunalë, si dhe kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Në garë janë 10,653 kandidatë të partive politike, koalicioneve si dhe kandidatë të pavarur.

Të drejtë vote e kanë 1,824,863 qytetarë  dhe të drejtën e votës e kanë edhe të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me koronavirus.

Gara kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike, LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet, dhe partive opozitare VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Publicistët Fejzi Hajdari dhe Roland Amzai sollën analizën e tyre lidhur me këtë proces një ditë para votimit.

Maqedonia e Veriut zgjedh nesër kryekomunarët, Hajdari dhe Amzai

Fejzi Hajdari: Shqiptarët sikur nuk janë të pritur këtu në Maqedoni të bashkojnë platformat e tyre politike dhe të dalin me një listë zgjedhore qoftë për deputetë apo zgjedhje lokale, këshilltarë komunalë. Për herë të parë ka dy kualicione, pozita dhe opozita. BDI ka koalicion me Zaevin dhe opozita shqiptare e udhëhequr nga Zijadin Sela dhe Afrim Gashi kanë koalicion me VMRO-DPMNE. Për herë të parë kemi koalicione parazgjedhore me partitë maqedonase.

Roland Amzai: Ky precedent u thye në 2017 kur BDI u mbështet nga Zaev. Ai publikisht ka mbështetur Teuta Arifin në Tetovë dhe Ramiz Merkon në Strugë.

Për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja ata kritikuan rolin e Tiranës zyrtare në këto zgjedhje por edhe të eksponentëve të politikës në Prishtinë.

Fejzi Hajdari: Gjithologë andej nga Tirana në ca debate kanë filluar dhe të na shesin mend, kemi misionarin Erion Veliaj që vjen këtu në Maqedoni për të na mësuar ne se kë duhet ta votojmë. Herë Edi Rama na çon nga atje selam kë duhet të votojmë dhe herë Erion Veliaj vjen e takohet me krerët e partisë së Ali Ahmetit që ndoshta kanë ndonjë kumari.U kthye në dukuri, edhe kryetari i bashkisë së Gjilanit në Kosovë na mëson cilin maqedonas duhet të votojnë shqiptarët e Kumanovës. Lutfi Haziri duhet të rregullojë çështjen e vet, i futen në territor çdo ditë xhandarmëria serbe.

Maqedonia e Veriut zgjedh nesër kryekomunarët, Hajdari dhe Amzai

Roland Amzai: Ndërhyrja nga Tirana nuk mund të quhet ndërhyrje por mënyra e qasjes së Veliaj nuk është e atillë që mund të na ndihmonte ne shqiptarëve të Maqedonisë. Është shqetësuese se Veliaj ka ardhur në Shkup dhe ka bërë fushatë në gjuhën angleze pa u konsultuar fare me asnjë faktor politik shqiptar. Shkupi nuk ka kandidat shqiptar por do të ishte mirë që Veliaj të konsultohej paraprakisht me faktorin politik shqiptar në pozitë dhe opozitë. Mbështjetja vjen në kohën kur Veliaj bëri dhe një tur tjetër në Prishtinë dhe nuk dua ta besoj që po bën një lojë me shumë porta që ti bëjë njëfarë presioni  Prishtinës zyrtare se do të ishte e paimagjinueshme.

Publicisti, Fejzi Hajdari, nga ana tjetër sheh me shqetësim ikjen masive të të rinjve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Fejzi Hajdari: Te elektorati shqiptar ka një tendencë rënie të interesimit. Në tre ciklet e fundit zgjedhore shqiptarët kanë votuar +-40%, kurse te elektorati maqedonas kemi konstanten e përhershme 70% e sipër. Ka një ikje masive të rinisë. Edhe kësaj radhe do të  kemi ulje të jehonës së votuesve.Ikja masive e shqiptarëve po vazhdon më të madhe, kryesisht në drejtim të Gjermanisë. Kam shpresë te Albin Kurti. Prishtina dhe Tirana të marrin shembull nga Serbia. Në momentin kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i ka pushtuar një amulli  e paparë të bëhet përpjekje për unifikimin e tyre.Në mungesë të perspektivës rinia shqiptare ikën dhe këtë ja mori politika.Duhet të amortizohet ikja e rinisë shqiptare.

OraNews