Zgjidhet ngërçi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Madrid, 30 qershor 2022 – Presidenti francez Emanuel Macron ka deklaruar se është gjetur kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për heqjen e vetos bullgare.

“Mund të them se është gjetur kompromis, kompromis i cili e ruan ndjeshmërinë e të dy palëve dhe besoj se është i pranueshëm për të gjithë. Në ditët në vazhdim edhe të dyja palët do të konfirmojnë këtë”, ka thënë Macron.

Ai tha se kryeministri bullgar dhe presidenti e kanë pranuar këtë version ndërsa bisedime do të ketë në ditët në vazhdim në Shkup.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se kanë marrë propozimin francez dhe se ai përmban edhe kërkesat e thëna në publik nga kryeministri, por duke mos saktësuar se cilat.

“Nga ana e presidencës franceze ka ardhur një propozim me ide të reja të cilat kanë të bëjnë me pozicionet dhe qëndrimet tona publike. Kjo paraqet një bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ së pari në Qeveri dhe me partnerët e koalicionit, më pas me presidentin e shtetit, me kuvendin dhe me opozitës, si dhe me sektorin civil dhe tërë opinionin në vend”, shkruan në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Qeveria premtoi se zgjidhja përfundimtare për pranim ose jo të propozimit francez do të jetë me konsensus të plotë shtetëror ndërsa falënderoi presidencën franceze për përpjekjet që ta ruajë besimin në vlerat evropiane dhe BE në ne Ballkan.

(Euronews.al)