Zhbllokohen vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak

Prishtinë, 2 tetor 2021 – Të shtunën, më 2 tetor, në orën 16:00, janë zhbllokuar dy vendkalimet kufitare midis Kosovës e Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Nga rrugët që shpien në këto dy vendkalime kufitare janë larguar kamionët dhe automjetet e rënda që ishin vënë nga grupe serbësh që kundërshtonin vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Nga atje janë larguar edhe pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët ishin dërguar atje më 20 shtator, për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione. 

Heqja e barrikadave të vendosura nga serbët, tërheqja e policisë speciale të Kosovës dhe vendosja e KFOR-it në Jarinjë dhe në Bërnjak është bërë në bazë të marrëveshjes për shtendosjen e situatës së krijuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila u arrit të enjten, në takimin e përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, e cilësoi si “përparim të mirë” zbatimin e marrëveshjes për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për të rifilluar dialogun”, ka shkruar Giacobbe.

Çfarë parasheh Marrëveshja për shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës?

  • Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
  • Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
  • Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

(r.m.)

Comment

*