Zjarret e përfshijnë Shqipërinë, Karaburuni në rrezik

Tiranë, 2 gusht 2021 – Zjarret e shkaktuara nga temperaturat e larta përgjatë gjithë territorit të Shqipërisë janë vënë nën kontroll të hënën pasi autoritetet kanë ndërhyrë për shuarjen e tyre, por gjendja vazhdon të jetë shqetësuese në disa pjesë të vendit, përfshirë përreth bazës ushtarake në Karaburun.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se shuarja e zjarreve ishte e suksesshme dhe se shumica e vatrave janë stabilizuar, por paralajmëroi që përkundër përpjekjeve të deritashme të 200 forcave të armatosura të zbarkuara për ta sanuar gjendjen, zona përreth Bazës detare të Pashalimanit vazhdon të jetë e rrezikuar.

“E vetmja vatër aktive serioze në vend është Karaburuni ku kemi përqëndruar dhe do të vazhdojmë të jemi të përqëndruar me mjete ajrore dhe mjete tokësore dhe me forca të shumta”, tha Peleshi.

Ministri tha se është arritur të shmanget përfshirja nga flakët e zonës ushtarake të Pashalimanit, që gjendet në jug të Vlorës dhe po ashtu edhe Parku Kombëtar i Llogarasë është duke u menaxhuar.

“Më afër kërcënimeve të zjarreve kanë qenë banesat në zonën e Ksamilit dhe një fshati të Përmetit, por tani ato janë shuar. Në orët e para të mëngjesit është fikur edhe zjarri në Mamuras”, bëri të ditur Peleshi.

Ndërkohë, temperaturat e larta dhe erërat që fryjnë e bëjnë të paparashikueshme situatën me zjarre, teksa vazhdon të raportohet për vatra të reja nëpër gjithë Shqipërinë.

Deri sot nuk janë rrezikuar vendbanimet, megjithatë, përmes një buletini për rreziqet natyrore të publikuar nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit thuhet se gjatë kësaj jave “pritet nivel ‘i lartë’ rreziku në pjesën më të madhe të qarqeve”.

Sipas institutit, qarqet me rrezik më të lartë janë qarqet e Shkodrës, Kukësit, Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërkohë që Dibra dhe Durrësi janë vënë në kategorinë e moderuar.

(Gresa Kraja, REL)