Zoran Vukotiq dënohet me 10 vjet burg, për dhunë seksuale gjatë luftës

Prishtinë, 5 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zoran Vukotiq, si pjesëtar i njësisë rezervë të Policisë së Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe të veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.

“Në datën 22 maj të vitit 1999, te varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në mesin e të cilëve edhe i akuzuari, kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre, i kishin urdhëruar të ulen të tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari, me një mjet- shkop të drurit, fillon t’i rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur, i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë në kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për t’i pajisur me kartela të identifikimit dhe, me të ardhur rendi te e dëmtuara D.1, i akuzuari e kishte marrë me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa policë, ku, në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë, i akuzuari e kishte përplasur të dëmtuarën për dysheme, me forcë ia kishte shqyer rrobat dhe kishte kryer aktin seksual – dhunimin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Vukotiq tashmë është duke vuajtur një dënim me gjashtë vjet e gjysmë heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Në muajin maj të vitit 2018, trupi gjykues i drejtuar nga gjykatës së misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, e kishte shpallur fajtor për torturë ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës, gjatë viti 1999.

Zoran Vukotiq ishte arrestuar në mars të vitit 2016 në rrethinën e Nikshiqit, në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe në muajin nëntor të atij viti u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Mbi dhjetë mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë, kurse mbi 1. 600 persona konsiderohen të zhdukur.

Numri i viktimave të dhunës seksuale të kryer nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës nuk dihet saktë. Organizatat që janë marrë me trajtimin e këtyre viktimave vlerësojnë se ky numër arrin në rreth 20 mijë. 

(r.m.)

Comment

*