ZPS e shton një dëshmitar në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Hagë, 3 nëntor 2021 – Trupi gjykues i Gykatës Speciale, në krye me Charles L. Smith, ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të ftuar edhe një dëshmitar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt do të vazhdojë nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëgjimin e dëshmitarit të tretë në këtë proces gjyqësor.

Në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt, i cili ka filluar më 7 tetor 2021, deri tani e kanë përfunduar dëshminë e tyre dy dëshmitarë, ndërsa nesër më 4 nëntor do të dëgjohet dëshmitari i tretë i cili do të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së ish-krerëve të OVL-UÇK.

Dëshmitari i tretë i ZPS-së është një punonjës sigurie në këtë zyrë i cili tashmë u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

(Telegrafi)

Comment

*