Zvicra përgënjeshtron Ramën dhe Ballukun: Nuk dënohen me burg qytetarët që i ngrohin ambientet mbi 19 gradë celsius

Tiranë, 17 shtator 2022 – Fushata e ndërgjegjësimit për kursimin e energjisë në Shqipëri në kushtet e krizës globale ka shënuar një tjetër precedent kur qeveria propagandon përmes dizinformimit. “Faktoje” e verifikoi si të pavërtetë një deklaratë të ministres së Energjisë, Belinda Balluku, se Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me më shumë se 19 gradë. Përgjigjja e qeverisë zvicerane për “Faktoje” tregon se ky shtet nuk ka mungesa të energjisë elektrike, pra as masa ndëshkuese, por i ka ftuar qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë përdorimin e gazit.

“A e dini se Zvicra dënon me burg ata që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë?”. Kështu iu drejtua ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku, nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, teksa ua komunikonte pasojat e krizës botërore të energjisë elektrike.

E pranishme në këtë takim të datës 14 shtator ishte edhe ministrja Arsimit, Evis Kushi.

Kjo deklaratë u artikulua më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës së re antikrizë, në konferencën e datës 8 shtator.

“Sot lexova që Zvicra ka vendosur penalitetin e tre viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre, ashtu sikundër kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës, etj.”, u shpreh Rama.

Nisur nga këto deklarata me shumë ndikim në opinionin publik, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim, duke iu referuar fillimisht burimeve zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës. Në 15 shtator iu drejtuam me një kërkesë për informacion në rrugë elektronike zyrës së medias, ku kërkuam të dijmë nëse është e vërtetë se ka ndonjë vendim për dënim me burg të qytetarëve në lidhje me energjinë.

Screenshot i kërkesës dërguar zyrës së medias së qeverisë së Zvicrës, 15 shtator 2022

Qeveria Zvicerane i ktheu përgjigje “Faktoje” vetëm pak orë pas dërgimit të emailit, përmes zëdhënësit të Departamentit Federal të Ekonomisë dhe Kërkimit, i cili mohon vendimmarrjen për dënimin me burg për rastin në fjalë.

Screenshot i përgjigjes së zëdhënësit të Departamentit të Ekonomisë dhe Kërkimit në Zvicër

Në këtë përgjigje, zëdhënësi shkruan se aktualisht në Zvicra nuk ka mungesë të energjisë elektrike dhe për këtë arsye nuk janë vendosur kufizime, aq më pak masa ndëshkuese. Ai pranon se një artikull i gazetës “Blick” është keqkuptuar dhe interpretuar nga persona të caktuar.

“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për përpjekjet tuaja për verifikim. Një artikull në gazetën ‘Blick’ është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror. Prandaj, nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen. Aktualisht po përgatiten koncepte nëse kufizimet apo masat mund të bëhen të nevojshme në rast të mungesës së ashpër të gazit natyror ose të energjisë elektrike. Procedurat e konsultimit për një projekt-urdhëresë në lidhje me një mungesë të madhe të gazit janë në vazhdim me grupet e interesit Énergie: mise en consultation des mesures prévues en cas de pénurie de gaz (admin.ch) / Energie: Massnahmen für eine Gasmangellage gehen in Konsultation (admin.ch).

Natyrisht, duhet të mbahet parasysh se si duhet të zbatohen dhe monitorohen kufizimet ose ndalimet e mundshme. Akti Kombëtar i Furnizimit Ekonomik (NESA), i cili do të shërbente si bazë për çdo kufizim apo ndalim, nuk parashikon gjoba administrative në formën e tij aktuale. Për rrjedhojë, ndjekja e shkeljeve, sipas NESA, do të ishte më e ndërlikuar; megjithatë, çdo gjobë e mundshme nuk do të ishte më e lartë se një gjobë normale administrative. Në çdo rast, një pikë e rëndësishme është se kontrollet e rrepta nuk janë as të realizueshme dhe as të dëshirueshme. Në Zvicër, ne u besojmë njerëzve që të respektojnë ligjin”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Zvicrës për “Faktoje”.

“Faktoje” verifikoi edhe artikullin e publikuar në 6 shtator në gazetën “Blick” ku flitet për masat që mund të merren në rast të mungesës së gazit ndaj atyre që shkelin me dashje parashikimet ligjore. Nga kërkimet e “Faktoje” rezulton se qeveria në Zvicër ka kërkuar nga qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë me 15% përdorimin e gazit në periudhën tetor 2022 – mars 2023 që janë edhe muajt më të ftohtë. Kjo fushatë ndërgjegjësimi ka nisur në fund të muajit gusht. Të dhënat tregojnë se vetëm për ngrohje Zvicra shpenzon ¾ e sasisë së gazit të përdorur gjatë dimrit. Familjet, industritë, sektori publik dhe institucionet shtetërore janë ftuar nga qeveria të reduktojnë ngrohjen, me argumentin se një gradë më pak nxehtësi, kursen 5-6% të energjisë.

Kur dizinformimi përdoret për propagandë

Verifikimi i “Faktoje” mbi dënimin me burg të qytetarëve në Zvicër që ngrohen me më shumë se 19 gradë tregoi se deklarata e ministres Balluku është e pavërtetë. Por diskutimi përtej këtij verifikimi është mbi propagandën që bëhet përmes dizinformimit, sidomos në një kohë të tillë kur qeveritë duhet të mendojnë se si të lehtësojnë qytetarin. Në rastin konkret, prezantohet një paketë antikrizë, por përcillen informacione dizinformuesë për të ndërgjegjësuar popullsinë të kursejë energjinë. Edhe më parë “Faktoje” ka verifikuar deklarata të pavërteta të zyrtarëvë të qeverisë mbi vendimmarrje të shteteve të tjera në lidhje me çështje madhore.

Në 14 tetor 2021 “Faktoje” publikoi një artikull mbi deklaratën e kryeministrit Rama se Britania kishte bërë një plan për kufizimin e energjisë. Por, një përgjigje nga qeveria britanike për “Faktoje” e rrëzonte këtë pretendim.

Më herët, në 29 shtator 2021, një tjetër artikull i “Faktoje”, ku përfshiheshin edhe përgjigjet nga qeveria gjermane rrëzoi një tjetër pretendim të kryeministrit Rama në lidhje me agjencinë e mediave si një model i suksesshëm gjerman.

Ndërkohë, në 21 mars të 2020, “Faktoje” verifikoi një video të shpërndarë nga kryeministri Rama, duke  iu referuar si ndërhyrje e policisë spanjolle për të shpërndarë njerëzit gjatë pandemisë. Videoja i përkiste zhvillimeve në Algjeri dhe nuk kishte asnjë lidhje me pandeminë.

(Marrë nga Faktoje.al)